Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka njoftuar se pas aplikimit të testeve përkatëse, gjatë këtij viti në gjithë territorin e vendit, është rezultuar me 42 raste me 264 krerë gjedhe të infektuara me sëmundjen e tuberkulozit.
Zëdhënësi nga kjo agjenci, Lamir Thaçi tha se AUV është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për parandalimin dhe çrrënjosjen e sëmundjes se tuberkulozit te kafshët e llojit gjedhe.
“Kemi 264 krerë gjedhe të infektuara me sëmundjen e TBC. Sipas të dhënave gjysma e tyre tashmë janë të asgjësuar. Por një problem që po na paraqitet është se në vatrat ku është e përhapur sëmundja, ka vonesa nga komunat për përcaktimin e lokacionit ku kryhet asgjësimi apo groposja“, tha ai për RTK-në.
Në lidhje me këtë situatë edhe Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim i ka dërguar letër AUV-it për t’u njoftuar më shumë pas rasteve të tuberkulozit të kafshët.
Kryetarja e Komisionit, Fitore Pacolli, tha se si komision do të angazhohen që fermerët e prekur të kompensohen.
“Ne na kanë informuar fermerët për problemin e paraqitur, ku ne i kemi dërguar AUV-it e-mail që të marrim të dhëna se kur janë paraqitur rastet, cilat janë masat, kompensimet dhe ritestimet. Ne do ta mbikëqyrim punën e AUV-it nëse gjithçka është në rregull. Ne si komision do të bëjmë çmos që të kompensohen fermerët”, tha ajo.
Por AUV theksoi së në këtë rast të gjithë fermerët e prekur do të kompensohen pa përjashtim, dhe në të njëjtën kohë do të mbulohen edhe shpenzimet e asgjësimit dhe groposjes.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, thotë se tuberkulozi si sëmundje ngjitëse mund të përhapet nga kafshët te njeriu, por këto raste janë shumë më të rralla se nga rastet që përhapen nga personi në person.
Sipas IKSHPK-së, forma më e zakonshme e tuberkulozit që bartet nga kafshët te njerëzit është tuberkulozi bovin (Mycobacterium bovis), i cili zakonisht gjendet te lopët, por mund të prekë edhe kafshë të tjera si dhitë dhe derrat.
Infeksioni mund të ndodhë kur njerëzit konsumojnë qumësht të pagatuar ose produkte të tjera nga kafshë të infektuara, apo përmes kontaktit të afërt me kafshët e infektuara.
Sëmundja e TBC tek gjedhet është sëmundje prezente në vend dhe rajon. Kurse programi kombëtar vjetor për monitorimin, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive të kafshëve për vitin 2024 në Kosovë, ka filluar në muajin korrik të këtij viti.
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...