Parlamenti javën e kaluar miratoi aneksin të marrëveshjes për autostradën Kërçovë -Ohër të gjatë 57 kilometra. Kjo nënkupton se të zgjedhurit e popullit e zgjatën afatin ligjor për përfundimin e këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor deri në fund të vitit 2023. Për afatin përfundimtar, kompetentët nga Ndërmarrja Shtetërore e Rrugëve dhe Ministria e Transportit kanë negociuar me palën kineze . Me këtë aneks të cilin e votoi shumica, por jo edhe opozita nuk parashikohen të holla shtesë, por vetëm është zgjatur afati i ndërtimit të projektit që ka arritur në 598 milionë euro. Njëherësh me anekset paraprake ishte parashikuar të ndërtohet tunel i ri dhe 9 hyrje dhe dalje të reja. Ministri i Transportit, Bllagoja Boçvarski thotë se nga 70 riprojektimet e reja, vetëm deri në fund të muajit shtator shteti ka realizuar dhe përgatitur 35 projekte të reja, ndërsa shton se shteti mbetet fuqishëm i angazhuar për përfundimin e kësaj autostrade. “Po zgjidhen edhe pengesat institucionale për realizimin e kësaj rruge, po miratohen projektet, anulohen gabimet si dhe janë miratuar 63 nga 70 projekte nga ana e këtij dikasteri, që po hap punë edhe për kompanitë ndërtimore”, thekson Boçvarski.
Kjo autostradë filloi të ndërtohet më vitin 2014 dhe duhej të përfundojë më vitin 2018, apo për katër vite, mirëpo për shkak të lëshimeve më të mëdha në dokumentacion projektues ajo jo vetëm që po vonohet por edhe është shtrenjtuar kostoja e ndërtimit të saj për shkak së ri projektimit të pjesëve të caktuara të saj. Afati i ndërtimit fillimisht u zgjat deri 30 qershor 2021, ndërsa me zgjatjen e fundit pritet që ai defitinivisht të përfundojë deri në fund të vitit 2023.
Në tetor të vitit 2018 u bë e ditur se kjo arterie rrugore do të kushtojë 600 milionë euro apo 187 milionë euro më shumë se shuma paraprake për shkak të projektimit jo të mirë të tunelit Preseka, si dhe për shkak se në projekt nuk ishin parashikuar më shumë hyrje dalje dhe rrugë shtesë deri në vendbanimet lokale. Qeveria para tre vitesh apo në vitin 2018, e nënshkroi aneksin e tretë me kompaninë kineze SinoHidro, pas bisedimeve një vjeçare, ndërsa nga qeveria atëherë deklaruan se kanë arritur të kursejnë 95 milion euro. Apo sipas arsyetimeve qeveritare nëse vazhdohej projekti me çmimet e vjetra ai do të kushtonte 282 milionë euro shtesë, ndërsa tani do të kushtojë 187 milionë euro shtesë.
Në ndërkohë, në fillim të muajit dhjetor, u anuluan edhe pengesat ligjore për kompletimin e korridorit tetë nga Bllaca, nëpër Shkup, Tetovë -Gostivar, Kërçovë dhe deri në Qafë të Thanës. Në fillim të viti 2024 pritet të përfundohet aksi rrugor Kërçovë -Ohër nga kinezët, ndërsa pjesën e mbetur nga Gostivari në Bukojçan, zgjerimin e rrugës Tetovë -Gostivar dhe ndërtimin e aksit rrugor Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë do ta ndërtojnë amerikanët dhe turqit
Dhjetë ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi të mos ngrejë procedurë për kushtetutshmërinë e zgjidhjes ligjore të votuar pothuajse nga të gjithë deputetët, me të cilën i lejohet kompanisë Behtell Enka të ndërtojë korridoret 8 dhe 10, me zgjidhje ligjore, në vend të procedurës së tenderit publik. Nisma u parashtrua paraprakisht nga Komisioni Antikorrupsion. Me këtë vendim ligjor hapet rruga të ndërtohet si autostrada e Pelagonisë apo rruga Prilep- Manastir. Pritet që nga Shkupi deri në Strugë të udhëtohet me autostradë deri në vitin 2024, ndërsa një vit më vonë apo në vitin 2025 do të ndërtohet edhe pjesa e mbetur e autostradës që lidh Maqedoninë me Shqipërinë apo nga Trebenishta që është larg 13 kilometra nga Ohrit deri në Qafë Thanë. Ideja e qeverisë është që ky proces të realizohet me një zgjidhje ligjore që do të mundësojë marrëveshje direkte dhe realizim të projektit sipas të ashtuquajturit princip “çelësi në dorë”. Memorandumi për këtë ishte nënshkruar në muajin prill dhe kaloi edhe filtrin parlamentar. Në opinion kishte edhe polemika lidhur përfitimet që kjo rrugë do t’i sjellë vendit. Debatet u ngritën për shkak për faktin se ligji do të lejojë një procedurë që nuk do të përfundojë me tender, por me marrëveshje të drejtpërdrejtë me kontraktorin e njohur.
Nga Qeveria në vazhdimësi kanë theksuar se kjo marrëveshje, apo ky ligji që do të miratohet do të mundësojë një proces të shpejtë, të pastër dhe efikas.
Sipas marrëveshjes fillestare, “Bechtel and Enka” ofron ndërtimin e autostradave Tetovë-Gostivar-Kërçovë dhe Strugë-Qafë Thanë nga Korridori 8, por edhe nga Prilepi në Manastir, nga studimi i fizibilitetit, projeksioni financiar deri te ndërtimi i plotë. Javën e kaluar, me propozim të Ministrisë së Transportit, Qeveria formoi Komitet për negociata dhe ekip negociues për implementimin e projektit për ndërtim të korridoreve 8 (seksioni: Tetovë-Gostivar-Bukojçani dhe projektin për autostradën Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë) dhe Korridorin 10 D (pjesa e autostradës Prilep-Manastir). Nga Qeveria njoftuan se ka caktuar nëntë anëtarë të Komitetit për negociata, ndërsa do të dorëzojnë kërkesë në Parlament që për anëtar të nominohet edhe një përfaqësues i partisë më të madhe opozitare, në këtë rast VMRO-DMPNE. /koha.mk
Prishtina synon ta mbyll ‘vjeshtën’ me fitore ndaj Malishevë...
Kurti sonte organizon pritje të posaçme për mërgatën
Xheneta i hidhet në përqafim Vullnetit në sy të Gjestit
Sulmi në tregun e Magdeburgut, Arabia Saudite kishte paralaj...
Së paku 16 të lënduar pasi një raketë e hedhur prej Jemenit ...
Kosova e Shqipëria nënshkruajnë Marrëveshje për Sigurinë Ush...