Autostrada ‘Ibrahim Rugova’ së shpejti zgjatet deri në Nish

16:30 | 26 Shtator 2017
Arbresh.info

Autoritetet kompetente në Prishtinë, kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e pjesës së mbetur të autostradës Prishtinë – Merdare – Nish. Kjo autostradë është vazhdimësi e projektit rajonal Durrës – Prishtinë – Nish.

Kjo autostradë në territorin e Kosovës njihet me emrin “Ibrahim Rugova” dhe deri në këtë fazë punimet kanë përfunduar deri në Besi, fshat ky që gjendet në magjistralen Prishtinë – Podujevë.

Ndërkaq mbetet të kryhen punimet edhe në rreth 26.8 kilometra tjera të papërfunduara deri në Merdarë, në kufi me Serbinë.

Kjo autostradë fillimisht ishte një projekt që lidhte Kosovën dhe Shqipërinë, e njohur si “Rruga e Kombit”. Por, ndërkohë ishte mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian, si projekt i përbashkët i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor.

Ministria e Infrastrukturës, në Qeverinë e Kosovës tashmë ka përzgjedhur një kompani konsulente për hartimin e projektit, i cili ka filluar gjatë këtij muaji dhe do të zgjasë 14 muaj, thuhet në një përgjigjeje nga kjo ministri për Radion Evropa e Lirë.

“Kompania konsulente ka kryer studimin e disa alternativave të korridorit të ardhshëm të autostradës Besi – Merdare. Këto alternativa të këtij korridori janë vlerësuar sipas një mekanizimi të përbërë nga kriteret teknike, financiare, sociale, mjedisore dhe të sigurisë dhe në bazë të të gjeturave është përgatitur raporti final,me variantin më të favorshëm, i cili është miratuar nga Ministria e Infrastrukturës”, thuhet në përgjigje.

Edhe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të këtij projekti, para 10 ditësh ka përuruar segmentim e parë të autostradës Nish- Prishtinë.

Projekti i Bashkimit Evropian për ndërtimin e autostradës që do të lidhë Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë, për përfaqësues të komunitetit të biznesit shihet si një nga mundësitë më të mira që duhet shfrytëzuar për bashkëpunim rajonal në fushën e infrastrukturës dhe ekonomisë.

Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Fadil Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se përmirësimi i infrastrukturës rrugore ndihmon në lehtësimin e qarkullimit të produkteve të Kosovës jashtë vendit dhe anasjelltas.

“Projektet infrastrukturore me vendet e rajonit, mund të them se janë arteriet e ekonomisë. Pasi Kosova tashmë ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, (MSA) dhe produktet tona duhet të gjejnë rrugën në tregun evropian. Pra, do të ishte e mirëseardhur kyçja deri në Nish e autostradës që produktet tona t’i eksportojmë edhe në Evropë”, tha Hoxha.

Bashkimi Evropian, në mars tëvitit 2015, pas një konference ndërministrore të gjashtë vendeve Ballkanike, të mbajtur në Prishtinë, ka premtuar se është i gatshëm të investojë deri në 1 miliard euro për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe, në rrjetin bazik të Ballkanit Perëndimor, projektet që janë përmendur se do të mbështeten, përveç autostradës që lidhë Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë, janë edhe linjat hekurudhore në Ballkan e deri te mbështetja e projekteve të përbashkëta të energjisë.

Të ngjashme