Autoriteti i konkurrencës fton prokurorinë ta hetojë industrinë e naftës

19:19 | 23 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Prej muajsh çmimi i naftës në Kosovë vazhdon të mbetet 1 euro 20 cent. 30 cent më shtrenjtë se vendet e rajonit. Asnjë institucion deri më tash s’ka reaguar pse është kaq i lartë ky çmim. Po dyshohet se bizneset që merren me naftë kanë bërë marrëveshje të fshehtë.

E për këtë Valon Prestreshi, udhëheqës i Autoritetit të Konkurrencës, ka ftuar prokurorinë që të hetojë industrinë e naftës, kur kompanitë po vazhdojnë të mbajnë çmimet e larta pavarësisht se çmimet e derivateve të naftës kanë rënë në tërë botën.

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në Facebook, Prestreshi ka treguar se nesër do të kërkojë hetime derisa ka treguar dënimin për keqpërdorim të pozitës së monopolit.

“Duke e konsideruar se tregu i derivateve të naftës është mjaft i ndihshëm, nesër, po ashtu do ta kërkoj ndihmën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që së bashku ta hetojmë këtë dukuri me kujdes, ata nga këndëvështrimi penal, AKK nga këndëveshtrimi civil.

Kodi penal i Republikës së Kosovës përkatësisht neni 301 citoi: Keqpërdorimi i pozitës së monopolit:

1. Personi përgjegjës që ushtron një apo më shumë nga veprimtaritë ekonomike në vijim, të cilat keqpërdorin pozitën monopoliste apo dominuese në treg apo në një pjesë substanciale të tregut, duke u përfshirë në një apo më shumë nga veprimtaritë në vijim, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet, nëse:

1.1. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë vë çmime të padrejta të blerjes apo të shitjes ose kushte tjera të padrejta tregtare;

1.2. në mënyrë të drejtëprdrejtë apo të tërthortë̈ rregullon çmimet e blerjes apo të shitjes ose kushtet tjera të tregtisë;”, shkruan Pestreshi në Facebook.

Prej dy muajsh, në tregun e Kosovës, çmimi i naftës e benzinës është 30 centë më i lartë se në rajon.

Çmimi në tregun global është më i lirë prej vitit 2016, ku 45 dollarë shitet një barel naftë.

Po sot disa pompa derivatesh në vend të pavarura nga kompanitë e mëdha që kanë arritur të mbajnë çmimin e lartë të naftës përmes marrëveshjeve kriminale, kanë ulur çmimet.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/autoriteti-i-konkurrences-fton-prokurorine-ta-hetoje-industrine-e-naftes-608543/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme