Austria do të vazhdojë me mbështetjen e Kosovës në fushën e arsimit

15:58 | 18 Dhjetor 2024
E.G

Austria dhe Kosova evidentojnë angazhimin e përbashkët për përmirësimin e arsimit dhe përforcimin e lidhjeve mes dy vendeve, njofton Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Sipas njoftimit, ministrja Arbërie Nagavci ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë, Georg Schnetzer dhe shefen e ADA-s, Rita Glavitza, me të cilët kanë diskutuar për bashkëpunimin në fushën e Arsimit në mes Republikës së Austrisë dhe Republikës së Kosovës.

Ministrja, Arbërie Nagavci shprehu falënderime për ambasadorin Georg Schnetzer, duke theksuar vlerësimin e madh për bashkëpunimin e afërt dhe ndihmën e vazhdueshme të Austrisë në zhvillimin e arsimit në Kosovë. Ministrja gjithashtu ka vlerësuar mbështetjen e Austrisë për plotësimin e të gjitha nevojave të sistemit arsimor në Kosovë, duke e konsideruar këtë ndihmë jetike për përmirësimin e cilësisë së arsimit në vend.

Gjatë këtij takimi, ministrja Nagavci informoi ambasadorin Schnetzer për përparimet në arsimin dual në Kosovë, me ç’rast tha se, ky sistem ka filluar në vitin 2022 në katër profile, është zgjeruar në 12 profile, në 14 komuna, duke dhënë rezultate të shkëlqyera. Nagavci gjithashtu ka përmendur se, është punuar në modelin e financimit të institucioneve bazuar në performancë, një model i frymëzuar nga Austria dhe Gjermania, zhvilluar me ndihmën e ekspertëve nga këto shtete.

Ndërsa, Ambasadori i Republikës së Austrisë, Georg Schnetzer, prezantoi shefen e re të zyrës së ADA-së në Kosovë, Rita Glavitza. Ai theksoi se, Glavitza duke qenë në këtë detyrë në pak muaj, është familjarizuar me shumicën e projekteve, sidomos ato në sektorin e arsimit të lartë. Ambasadori, Schnetzer konfirmoi se bashkëpunimi në fushën e arsimit do të vazhdojë me mbështetjen e Republikës së Austrisë.

“Ky takim evidentoi angazhimin e përbashkët të të dyja palëve për përmirësimin e arsimit dhe përforcimin e lidhjeve mes dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme