Auditori: Në nëntë raste spitalet paguan kujdestarët pa pasur dëshmi pune

17:39 | 26 Qershor 2017
Arbresh.info

Në nëntë raste kujdestaritë e natës nëpër spitalet e Kosovës ishin paguar me nga 1,800 euro, por pa pasur dëshmi se kujdestaria është mbajtur nga mjekët. Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), e cila ka përpiluar një raport financiar vjetor për ShSKUK-në.
Sipas Auditorit Gjeneral, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka paguar në nëntë raste për kujdestari të natës pa pasur fare dëshmi.

“Në nëntë (9) raste (dy (2) në QKUK, katër (4) në Spitalin e Prizrenit dhe tri (3) në Spitalin e Gjilanit) kujdestaritë e natës ishin kompensuar rreth 1,800€, në mungesë të dëshmive për mbajtjen e tyre. Kjo ngase, në ditarët e kujdestarive, njëri nga stafi mjekësor ishte nënshkruar për të gjithë”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm, shkruan Insajderi.

Mangësitë e evidentuara kanë ndodhur për shkak të mungesës së kontrollit efektiv nga ana e drejtorëve të klinikave dhe reparteve dhe si pasojë e mos respektimit të KKS-së lidhur me mbajtjen dhe kompensimin e kujdestarive-ndërrimeve të natës, thuhet në raport.

Auditori Gjeneral ka paralajmëruar se kjo mënyrë e funksionimit mund të jetë e rrezikshme për funksionimin e këtij institucioni.

“Mangësitë e evidentuara në menaxhimin dhe kalkulimin e kujdestarive janë tregues i mungesës së efektivitetit të kontrolleve të brendshme në ketë fushë, dhe rrit rrezikun që të ndodhin pagesa të parregullta dhe potencialisht për shërbimet të cilat nuk janë ofruar”, thekson Zyra Kombëtare e Auditimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme