Auditori i përgjithshëm: Kuvendi shkeli Kushtetutën kur na kategorizoi si shërbyes civilë

08:23 | 30 Maj 2019
Arbresh.info

Kuvendi i Kosovës e ka shkelur Kushtetutën në momentin që punonjësit e Auditorit të Përgjithshëm i ka kategorizuar si shërbyes civilë, në kuadër të Ligjit për shërbyesit civilë, ka vlerësuar menaxhmenti i këtij institucioni, të mërkurën, gjatë raportimit para Komisionit për Mbikëqyrje të Financave.

Para deputetëve, auditori Besnik Osmani ka thënë se një kategorizim i tillë është antikushtetues, pasi që ka cenuar pavarësinë e auditorit. Si pasojë, Osmani ka thënë se prej hyrjes në fuqi të këtij ligji, por edhe të Ligjit për pagat, e kanë lëshuar punën katër auditorë, shkruan sot Koha Ditore.

“Jemi institucioni i vetëm që jemi degraduar edhe me Ligjin për shërbyesit civilë, edhe me Ligjin për pagat. Ne nuk mund të hyjmë në kategorinë e shërbyesve civilë, për shkak se kështu preket pavarësia e institucionit. Për pasojë, nuk kemi mundur së fundmi të anëtarësohemi në disa organizata ndërkombëtare. Madje, në këtë mënyrë kemi shënuar regres edhe karshi plotësimit të kritereve për MSA-në”, ka thënë ai.

Osmani ka thënë se nuk mund t`i mbajë në punë auditorët me pagat që i ofron Kuvendi i Kosovës.

“Nuk mund t`i mbaj aq më pak me zvogëlimin e pagave që u është bërë me Ligjin për pagat. Katër auditorë më kanë ikur. Secili auditor i performancës, por edhe auditorë të fushave të tjera, vetëm në sektorin e veprimtarisë së organizatave joqeveritare në tregun kosovar mund të gjejnë dyfishin e pagave që i marrin te unë me punë më relaksuese. Unë jam duke u ballafaquar me këtë problem”, ka thënë ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme