Google ADS

Atmosferë festive në shtëpinë e pleqve

13:17 | 31 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Festat e fundvitit kanë filluar edhe në Shtëpinë për Persona të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare duke filluar nga stolisja e bredhit në sallat e qëndrimit ditor ku këta të moshuar kalojnë ditën, vizita të shumta nga njerëz  vullnet mirë.

Shejnaze  Salihu tregon se natën e festave të fundi vitit ato e kalojnë duke u mbledhur bashkë dhe duke shikuar televizor.

Mblidhemi kështu shoqe bashkë, bëjmë muhabet e këqyrim televizorin” tregon Salihu.

Ajo shprehet e kënaqur me kushtet e jetesës në këtë shtëpi.

“Për këtu po, tash gjitha të reja na i kanë pru, nxemjet në rregull, ujë të nxehtë kena, gjitha janë në rregull”, është shprehur Salihu.

Urimi i saj për vitin 2019 është që rinia të punësohet dhe të ketë një të ardhme më të mirë.

“Presim që rinia të kenë punësim mos  të rrinë rrugëve, presim diçka ma mirë të bëhen vizat, të kenë ku me dal me shku rinia mos me mbet rrugëve. Na jena qashtu ma të kënaqur kur rininë e shohim mirë” ka qenë urimi i saj.

Nexhip Haliti ka thënë se i kalojnë mirë festat e fund vitit ndërsa sa i përketë kushteve në këtë shtëpi ai është shprehur shumë i kënaqur duke thënë se janë  gjitha të mirat.

Drejtoresha e Shtëpisë për Persona të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare, Raza Aliqkaj ka treguar për arbresh.info se si pritet Viti i Ri në këtë institucion duke shtuar  se ka dy javë që ka vizita të shumta nga njerëz vullnetmirë, të cilët bëjnë të ketë festë vazhdimisht.

Ajo ka treguar poashtu që tashmë  kanë filluar me stolisjen e bredhit në disa pika të qëndrimit ditor ku këta të moshuar kalojnë ditën.

“Ndërsa sa u përket festave të fund vitit ne veç kemi filluar pothuajse qe dhjetë ditë ose dy javë në vazhdimësi e kemi festë në institucionin tonë. Kemi edhe shumë vizitorë cilët zakonisht na mbështesin dhe na përkrahin për festa, ne jemi falënderues për gjitha ata të cilët kanë hapur zemrën dhe kanë shprehur dëshirën dhe vullnetin për të na vizituar gjegjësisht për t’i kënaqë dhe mbështet rezidentët  që ne përkujdesemi për ta, në vazhdimësi kemi festë. Ndërsa ne si institucion gjithashtu organizojmë veçmas. Kemi filluar para dyjave edhe me stoli të bredhit në disa pika ku klientët qëndrojë në sallat e qëndrimit ditor, gjithmonë është menyja më e begatshme ushqimi kuptohet si në gjitha familjet tona,” ka thënë Aliqkaj.

Aliqkaj ka folur për numrin e të moshuarve që qëndrojnë në këtë shtëpi por edhe kushtet e jetesës të cilat ajo i quan të mira.

“Për momentin në shtëpinë e personave të moshuar pa përkujdesje familjare  në Prishtinë aktualisht janë 69 rezident prej tyre janë 40 femra dhe 29 meshkuj të gjitha nacionaliteteve.

Kushtet përgjithësi janë të mira. Janë bërë ndryshime në infrastrukturën e institucionit gjatë vitit 2018. Është bërë komplet izolimi dhe fasadimi i gjitha hapësirave ku banojnë rezidentët dhe gjithashtu edhe këtu ku jemi, në administratë. Pastaj, kemi një ndryshim edhe te ngrohtorja, prej ngrohjes me naftë kemi kaluar te ngrohja me pelet, kështu që është një ngrohje ma cilësorë dhe më kualitative njëkohësisht bashkë me të është i lidhur edhe  uji i ngrohtë”, ka thënë ajo

Drejtoresha e këtij institucioni ka përmendur poashtu edhe një varg aktivitetesh të cilat i organizojnë për këta të moshuar duke filluar nga  këndimi, vizatimi, punime dore e të tjera.

“Patjetër ne në kuadër të organizimit të  punëve të brendshme në institucion organizojmë në vazhdimësi edhe aktivitete me rezidentë në shërbimin social ku ndodhet klubi i rezidentëve dhe terapia e punës, në klubin e rezidentëve klientët kanë mundësi që të bashkëbisedojnë qëndrojnë së bashku, të luajnë, këndojnë,  shikojnë televizor organizojnë edhe  gara të vogla mes njëri tjetrit,  gjithmonë në përcjellje të punëtorëve të shërbimit shëndetësor, poashtu edhe në terapinë e punës e kanë mundësinë me punuar ma shumë punë dore, me vizatu me ngjyros, me shikuar televizor d.m.th. është një rekreacion ose një pushim aktiv”, ka thënë drejtoresha./arbresh.info/R.Rexhepi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme