Fondacioni Atmosfera pjesë e së cilit është edhe i dyshuari Ugur Toksoy ka reaguar me anë të një komunikate me anë së cilës ka thënë se Kosova nuk ka të drejtë të ekstradojë persona të akuzuar për çështje politike.
Ugur Toksoy është arrestuar para dy ditësh nga Policia e Kosovës si i dyshuar se ka lidhje me Lëvizjen Gulen e cila në Turqi akuzohet se është organizatore e tentim grusht-shtetit në këtë vend korrikun e vitit të kaluar.
Më poshtë botohet i plotë reagimi i Fondacionit Atmosfera.
(RASTI TOKSOY) Më 28.10.2017 në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga gjyqtari i procedurës paraprake, i është caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh, shtetasit turk z. Ugur Toksoy i cili po kërkohet të ekstradohet në Turqi nën akuzën politike se ka kontribuar në organizimin e puçit të datës 15 korrik 2016 në Turqi. Akuza e ngritur nga shteti turk ka të bëjë me pretendimin se Ugur Toksoy është përkrahës i klerikut Fethullah Gylen, të cilin Presidenti Turk Erdogan e ka shpallur si terrorist dhe po mundohet me çdo kusht të përndjek të gjithë përkrahësit e tij anë e kënd botës. Në seancën e datës 28.10.2017 Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesën për ekstradim dhe urdhër ndalimin e lëshuar nga autoritetet turke me të cilën kërkohen nga Kosova që të bëhet ekstradimi i z. Ugur Toksoy në Turqi. Këto dokumente përmbajnë një përshkrim të përgjithshëm të asaj se çka ka ndodhur me datë 15 korrik 2016 në Turqi, mirëpo pa prezentuar asnjë prove të vetme se cilat ishin veprimet konkrete të z. Ugur Toksoy në ngjarjet e grushtshtetit. Gjatë seancës i akuzuari i ka sqaruar Gjykatës se ai që nga viti 2007 së bashku me familjen e tij jeton në Kosovë dhe posedon leje qëndrim të ligjshëm dhe se që nga viti 2015 nuk ka vizituar Turqinë, rrethanë kjo e vërtetuar në seancën gjyqësore edhe nga pasaporta e tij. I akuzuari ka sqaruar se kjo është hera e parë që përballet me ligjin dhe është i shokuar me arrestimin e tij, përderisa gjer më tani gjithmonë ka zbatuar ligjet e aplikueshme në Kosovë. Sipas avokatit mbrojtës, kërkesa për ekstradim është çështje tërësisht politike dhe Kosova nuk duhet të lejojë që të bëhet vasal i z. Erdogan që ai të arrijë qëllimet e tij politike. Mbrojtja po ashtu Gjykatës i ka prezantuar provat se Lëvizja Gylen nuk është shpallur organizatë terroriste nga OKB e as nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por kjo është bërë vetëm nga Qeveria e z. Erdogan të cilët për qëllimet e tyre politike janë duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat ligjor dhe joligjor për të ndjekur dhe persekutuar ndjekësit e kësaj lëvizje. Përveç tjerash mbrojtja ka ngritur shqetësimin se ekziston rreziku që z. Ugur Toksoy të jetë pre e torturave dhe trajtimit çnjerëzor nga autoritetet turke në rast të ekstradimit të tij. Kjo për faktin se qindra përkrahës të Lëvizjes Gylen gjer tani janë persekutuar dhe torturuar nga autoritet turke duke përfshirë edhe gazetarë të shumtë turq. Përkundër argumenteve të prezantuara nga mbrojtja e z. Ugur Toksoy, dhe faktit se kërkesa e prezantuar nga shteti turk nuk përmban asnjë provë të vetme me të cilën e lidh z. Ugur Toksoy me veprën penale e cila i vihet në barrë, Gjykata ka vendosur për shqiptimin e masës së paraburgimit prej 40 ditësh. Gjatë kësaj periudhe pritet të mbahet edhe një seance për ekstradimin e z. Ugur Toksoy në bazë të cilës Gjykata Themelore në Prishtinë do të vendos lidhur me ekstradimin apo jo të z. Ugur Toksoy. Duke marrë parasysh raportimet e Human Rights Watch dhe Amnesty International, tortura e autoriteteve turke ndaj personave të cilët i cilëson si përkrahës të lëvizjes Gylen është e pashmangshme. Prandaj ekstratimi i z. Ugur Toksoy do të përbënte shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe konventave evropiane të cilat janë direkt të aplikueshme sipas nenit 22 të Kushtetutës së Kosovës. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nenin 3 ka përcaktuar se asnjë person nuk duhet të jetë subjekt i turturave çnjerëzore ose trajtimit dhe dënimit degradues. Gjithashtu sipas nenit 3 të Konventës Evropiane për Ekstradim, ndalohet ekstradimi nëse vepra për të cilën kërkohet nga pala kërkuese, është vepër penale politike ose ndonjë vepër penale që lidhet me vepër penale politike. Në anën tjetër bëhet e ditur se famlija e z. Ugur Toksoy janë tejet të shqetësuar nga mundësia që i njëjti të ekstradohet në shtetin turk pasi që ai mund të jetë pre e torturave dhe trajtimeve çnjerëzore nga autoritetet turke.
Hoti: Nuk do të lejoj të më njolloset emri, ministri Peci të...
Drenusha-Sarës: E di që vet ia del, nuk ke nevojë për ndihmë...
Drenusha-Sarës: E di që vet ia del, nuk ke nevojë për ndihmë...
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...