ATK në kërkim të një operatori të ri për furnizim me Arka Fiskale

14:32 | 1 Nëntor 2021
F.T

Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore e Kosovës, kanë çuar një hap para procesin e fiskalizimit, duke i hapur rrugë operatorëve të rinjë, për pajisje me arkë fiskale dhe në të njëjtën kohë, duke e rritur konkurrencën dhe hapjen e tregut, me këtë mundësi.

Procesi i fiskalizimit në Kosovë, përmes PEF/SF është një nga proceset më të suksesshme që ka siguruar stabilitet ekonomik afatgjatë dhe se deri tani, një përqindje e madhe e bizneseve, operojnë duke aplikuar sistemin ekzistues fiskal, më konkretisht arkat fiskale.

Kosova numëron 4 kompani, të cilat janë të licencuara për t’i pajisur bizneset me Arka Fiskale. Javë më parë, të shtyrë nga kërkesa direkte e Ministrisë së Financave, disa operatorë kanë dalë në treg me ofertën më të favorshme për bizneset, pas së cilës bizneset tani nuk kanë arsye të refuzojnë fiskalizimin.

Lajmi se ATK, bazuar në Udhëzimin Administrativ MF-Nr.02/2018 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike dhe Sistemeve Fiskale dhe në mbështetje të dokumentit “Kërkesat specifike teknike dhe funksionale për Pajisjet Elektronike Fiskale/ Sistemet Fiskale”, po u hap rrugë operatorëve të rinjë që të futen në treg dhe është një lajm i mirë për të liberalizuar edhe më shumë tregun e fiskalizimit dhe përmbylljen e procesit të fiskalizimit.

ATK ka njoftuar se të gjithë ata që synojnë të bëhen operator të autorizuar për furnizim, instalim dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale / Sistemeve Fiskale (PEF/SF) mund të aplikojnë, pasi t’i plotësojnë kushtet dhe dokumentacionin e kërkuar, të cilin mund ta gjeni në ueb faqen e ATK-së.

Linku për aplikim përmes sistemit: https://arka.atk-ks.org/#/requesteconomicoperator/create

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme