ATK-ja lejon lojërat shpërblyese me dhurata deri në 1000 euro

12:36 | 7 Maj 2019
Arbresh.info

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar të gjitha subjektet, kompanitë, bizneset të cilat merren me organizimin e lojërave shpërblyese se të njëjtat do të lejohen edhe përkundër hyrjes në fuqi të Ligjit për ndalimin e lojërave të fatit.

ATK, përmes një njoftimi dërguar mediave, ka thënë se Ligji për Lojërat e Fatit, nuk i trajton si lojëra fati konkurset (lojërat) shpërblyese që organizohen nga subjektet me qëllime publiciteti, me kusht që pjesëmarrja në lojë të mos inkasohet dhe të mos ketë kosto shtesë, si dhe shpërblimet të jepen në produkte, shërbime ose në para të gatshme duke mos tejkaluar shumën prej 1000 euro për person.

Administrata Tatimore e Kosovës thotë se kur Ligji aktual mbi Lojërat e Fatit me datë 10 maj 2019 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Ndalimin e Lojërave të Fatit, atëherë, “pas kësaj date Administrata Tatimore nuk ka autoritet për të miratuar rregulla të lojërave shpërblyese dhe zyrtarët e saj nuk do të jenë pjesëmarrës në çfarëdo cilësie në ngjarjet e tilla, që mund të organizohen në të ardhmen”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme