Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se aktivitetet e saj në vazhdimësi do të përqëndrohen te tatimpaguesit të cilët posedojnë mallra pa origjinë.
Sipas ATK-së, secili tatimpagues duhet të ofrojë dokumentacionin mbështetës i cili e arsyeton prejardhjen e mallit , apo vendndodhjet e tatimpaguesit, ashtu edhe për mallrat në qarkullim jashtë vendndodhjes së tatimpaguesit, shkruan Arbresh.info.
Po ashtu, secili tatimpagues duhet të dokumentojë të gjitha mallrat nga koha e pranimit qoftë përmes importimit, blerjes, shkëmbimit apo mënyrave tjera deri sa ato të jenë shitur apo sistemuar.
“Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë tatimpaguesit se në bazë të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat, kërkohet dokumentimi i origjinës së mallit. Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi do të përqendrohen pikërisht te tatimpaguesit, të cilët posedojnë mallra pa origjinë. Secili tatimpagues duhet të ofrojë dokumentacionin mbështetës, i cili arsyeton prejardhjen e mallit si në vendndodhjen, apo vendndodhjet e tatimpaguesit, ashtu edhe për mallrat në qarkullim jashtë vendndodhjes së tatimpaguesit. Po ashtu, secili tatimpagues duhet të dokumentojë të gjitha mallrat nga koha e pranimit (qoftë përmes importimit, blerjes, shkëmbimit apo mënyrave tjera) deri sa ato të jenë shitur apo ndryshe të jenë sistemuar, përfshirë dokumentacionin e shitjes apo sistemim tjetër.”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Përmes këtij njoftimi, Administrata ka inkurajuar të gjithë që t’u përgjigjen detyrimeve tatimore, ngase me kryerjen e tyre, ata kontribuojnë direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenies shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore./Arbresh.info.