Google ADS

Asociacioni, problem në bisedimet me Serbinë

19:40 | 12 Shtator 2020
Arbresh.info

Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe nuk duhet të diskutohet nga autoritetet e Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, thotë për REL, profesori i çështjeve juridike kushtetuese, Mazllum Baraliu, sepse siç thotë ai, në këtë marrëveshje Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje.

Sipas Baraliut, diskutimi në kuadër të dialogut të Brukselit për çështjen e Asociacionit është njësoj i dëmshëm për Kosovën sikurse ideja për shkëmbim, territorial, vetëm në një formë tjetër.

Për Asociacionin, Kosova dhe Serbia më 7 shtator kanë nisur bisedimet në Bruksel në kuadër të dialogut politik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të enjten gjatë një debati në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Çështja e Asociacionit nuk duhet të shtrohet fare, jo vetëm pse Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar se 23 vende ka shkelje, por për arsye se ajo marrëveshje është e vdekur. Serbia pas asaj marrëveshjeje ka bërë obstruksione të panumërta. Serbia ka bërë veprime direkte në rrënimin e shtetësisë se Kosovës, veçanërisht me çnjohjet, por edhe duke aktivizuar strukturat paralele brenda shtetit të Kosovës”, tha Baraliu.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Por, deri më tash kjo nuk ka ndodhur për shkak se në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që principet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën, por që ato mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës, gjë që pala serbe ka refuzuar.

Miftaraj: Për Asociacionin askush s’mund të dalë jashtë Kushtetutës

Edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, shprehet se jetësimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë duhet të bëhet vetëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Në kohën e hartimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Miftaraj shprehet se duhet të merren për bazë të gjitha rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Republika e Kosovës ka marrë zotim se duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por e përsërisë që i njëjti Asociacion, as kryeministri dhe as një liderë politikë nuk mund të dalë jashtë asaj që e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Respektivisht, statuti i këtij Asociacioni në kohën kur do të hartohet, duhet të reflektojë të gjitha rekomandimet apo të evitojë të gjitha dispozitat që janë në kundërshtim me Kushtetutën, e që tashmë janë evidentuar nga Gjykata Kushtetuese”, tha Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministri Hoti, ka thënë të enjten se në raundin e fundit të diskutimeve me Serbinë në Bruksel janë hapur dy çështje kryesore: çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe pretendimet financiare në mes të të dyja vendeve.

“Ne kemi nënshkruar marrëveshje në vitin 2015 për këtë Asociacion dhe ne nuk po mundohemi në asnjë mënyrë që t’i ikim asaj marrëveshjeje, ne do ta respektojmë plotësisht atë, por jemi pajtuar që të punojmë së bashku që të arrijmë një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë, ku përfshihet edhe Asociacioni dhe çështje tjera”, ka deklaruar ai.

Kurse Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Republikës se Kosovës, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se, kryeministri aktual, Avdullah Hoti është i vetmi zyrtar publik i Kosovës, që ka pranuar deri më sot që të rihapet tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe i vetmi zyrtar publik që deri sot kundërshton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin.

“Unë mendoj që ky është sfidimi më i madh sistemit tonë kushtetues që i bëhet nga një kryeministër përgjatë këtyre viteve të fundit, sepse çdo kryeministër nga viti 2015 e tutje, ka thënë se ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, rrjedhimisht nuk mund të zbatohet marrëveshja e vitit 2015. Duhet të zgjedhësh në mes të Kushtetutës tënde dhe Marrëveshjes se vitit 2015, ose dokumentit, sepse gjykata e ka konsideruar dokument të ndërmjetmë dhe jo marrëveshje”, ka thënë Osmani.

Baraliu: Asociacioni shkatërron funksionalitetin e shtetit të Kosovës

Mazllum Baraliu, ndërkaq shprehet se marrëveshja krijon kompetenca ekzekutive për Asociacionin, çka sipas tij, shkatërron funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

“Edhe Asociacioni është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës sepse Kushtetuta i njeh dy nivele të pushtetit. Vënia e Asociacionit me kompetenca ekzekutive është një pushtet i ndërmjetëm që e shkatërron funksionalitetin dhe ardhmërinë e shtetit të Kosovës. Dhe si i tillë, është i papranueshëm edhe në biseda, në tavolinë dhe përgjithësisht”, shprehet Baraliu.

Vetëvendosje: Asociacioni nuk mund të zbatohet

Edhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë më të madhe në opozitë, kanë thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, është i pazbatueshëm. Xhelal Sveçla, nga kjo parti, në një konferencë për media të shtunën, tha se ky subjekt politik do të mbrojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

“Për sa i përket çështjes se Asociacionit, tashmë jo vetëm që është jokushtetuese është edhe e paimplemtueshme. I gjithë populli i Kosovës tashmë e dinë që kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Është vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe shumë mirë që është ai vendim”, tha Sveçla.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se këto deklarata të zyrtarëve të Vetëvendosjes për Asociacionin, lënë të kuptojnë se ata pajtohen që Asociacioni të formohet sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Në vitin 2015, Kosova dhe Serbia, arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni. Në tetor të po atij viti, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga), kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015), nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme