Pozicionimi i kundërt i Qeverisë së Kosovës në njërën anë dhe i Listës Serbe lidhur me mënyrën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili buron nga Marrëveshja e Brukselit, do ta lë këtë çështje të pazgjidhur deri në finalen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serb.
Së fundmi, Lista Serbe ka deklaruar që Asociacioni mund të formohet vetëm me ndryshime kushtetuese, ndërkaq që Qeveria e Kosovës këmbëngulë që Asociacioni mund të formohet vetëm sipas marrëveshjes së Brukselit, e cila parasheh edhe vlerësimin e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Kjo e fundit, në dhjetor të vitit 2015, në 23 pika e ka gjetur marrëveshjen jo në harmoni me Kushtetutën. Pikërisht për këtë arsye, Lista Serbe kërkon ndryshimet kushtetuese.
Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se Asociacioni me kompetenca ekzekutive, të cilin e pretendon Lista Serbe do të ndryshonte fundamentalisht funksionimin e shtetit të Kosovës, gjë që për autoritetet e Kosovës është e papranueshme. Sipas tij, është e pritshme që pala serbe do të përpiqet që deri në maksimum të përfitoj nga Asociacioni.
“Ajo (pala serbe) do të bëj çmos, në çdo nivel të mundshëm politik ndërkombëtar, që të insistojë në versionin e vet. Mirëpo, fati i Kosovës është që edhe Brukseli është kundër një opsioni të tillë dhe vazhdimësia e kësaj gjendje varet nga vullneti politik i Brukselit, që ta ndalojë atë”, tha Muhaxhiri.
Njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se, marrë parasysh betonimin në qëndrime të kundërta të dyja palëve lidhur me formimin e Asociacionit, ato po e keqpërdorin këtë çështje.
Sipas tij, bazuar në parimet e marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni nuk u jep ndonjë autonomi të madhe serbëve të Kosovës, por autoritetet e Serbisë po insistojnë për një gjë të tillë.
“Po përpiqen (autoritetet serbe) që të gjejnë një arsyetim dhe të thonë ‘ ja, ne kemi bërë diçka, ne kemi luftuar dhe kemi fituar diçka’. Në anën tjetër, Prishtina po e lejon një hapësirë manovruese, në kuptimin se gjithashtu ka probleme me opozitën e saj dhe se ky problem nuk mundet të zgjidhet thjeshtë dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata po e zvarrisin. Mendoj që në një mënyrë tash është një ‘pat’ pozicion, deri në momentin që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të mos thonë ‘mjaft më me këtë rrëfim’ dhe se ky problem duhet të zgjidhet”, theksoi Nojkiq.
Megjithatë, njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se të dyja palët, Serbia dhe Kosova, po synojnë që çështjen e themelimit të Asociacionit ta zvarrisin deri në finalen e dialogut ndërmjet dy vendeve në Bruksel, e cila duhet të përmbyllet me një marrëveshje juridikisht obliguese.
Muhaxhiri shpreh mendimin që çështja e asociacionit mund të shtyhet deri në fund dhe të përfshihet në ndonjë pako finale të marrëveshjeve, që do të jenë juridikisht obliguese për të dy palët.
“Në fakt, Serbia do të tentojë që deri në momentin e fundit, së paku edhe publikisht, para opinionit të vet, të pretendoj që është duke i kërkuar kompetencat ekzekutive për Asociacionin, në mënyrë që ta ketë një arsyetim politik për lëshimet, të cilat pritet t’i bëj. Mirëpo, marrëveshja finale do të jetë një pako e madhe – mbase do t’i përngjajë edhe Pakos së Ahtisaarit – sepse, do të ketë shumë orientime strategjike, të cilat do t’u shërbejnë palës së Kosovës dhe palës së Serbisë, për rregullimin dhe definimin e marrëdhënieve të tyre në të ardhmen”, theksoi Muhaxhiri.
Edhe Nojkiq, shpreh mendimin se çështja e formimit të Asociacionit do të zvarritet deri në finalen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, sipas tij, në finale do të bëhen kompromise dhe çështja e Asociacionit nuk do të jetë e vetmja që do të shqyrtohet për kompromis.
“Kjo është ajo hapësira ku të dyja palët do të kërkojnë kompromis. Fundja, kjo nuk është çështja e vetme. Tashmë dihet se është një çështje tjetër e madhe dhe për të cilën po flitet shumë është ulësja për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prandaj, të gjitha këto, në fund do të futen në një pako, për të cilin, në fund, dikush më shumë e dikush më pak, të gjithë do të jenë kënaqur. Por, në fakt, asgjë e rëndësishme nuk do të ndodhë, përveç asaj për të cilën po flet Prishtina, që Asociacioni duhet të formohet në harmoni më Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Nojkiq.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe buron nga marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, në vitin 2013, ndërkaq që në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kanë në shkruar marrëveshjen për formimin e këtij Asociacioni, duke specifikuar edhe mënyrën e formimit. /REL
Vajzat e Kosovës U19 mposhten nga Gjermania
Hamza pritet në takim nga Begaj: Nëntori, muaji që shto dinj...
Një letër dashurie për Sarën dhe skena xhelozie nga Anisa, ç...
Maqedonci: Kosova vend potencial për prodhimin e fluturakeve...
Shqipëria U19 e vajzave fiton ndeshjen e parë në kualifikues...
Osmani mirënjohëse ndaj Kolumbisë