Insistimi i Listës Serbe për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, është i vazhdueshëm, por ende nuk ka ndonjë afat të caktuar që do ta specifikonte nisjen e këtij procesi, thonë zyrtarët e Listës Serbe.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe buron nga marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, në vitin 2013, ndërkaq që në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kanë në shkruar marrëveshjen për formimin e këtij Asociacioni, duke specifikuar edhe mënyrën e formimit.
Igor Simiq, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, thekson që subjekti politik që ai përfaqëson, në vazhdimësi insiston për formimin e Asociacionit, por sipas tij, nisja e procesit të formimit, ende nuk duket në horizont.
“Nuk po e kufizojmë afatin se kur do të nisim me këtë, nga dhjetori, janari apo nga qershori. Do të thotë, kjo është kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve serbë në katër vitet e fundit, që ku është nënshkruar marrëveshja e Brukselit”.
“Ky është obligim, të cilin e ka marrë mbi vete Prishtina, duke nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe ky është obligim jo vetëm ndaj serbëve të Kosovë dhe ndaj Beogradit zyrtar, me të cilin është nënshkruar marrëveshja, por edhe ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në Bruksel, Uashington dhe atyre që janë këtu në Prishtinë”, thotë Simiq.
Ai shton se mosrespektimi i marrëveshjes nxit pasoja, në kuptimin e humbjes së besimit të ndërsjellë, gjë që i zhvlerëson çfarëdo lloj bisedimesh të mëtutjeshme me faktorët e caktuar politikë.
Në anën tjetër, as Qeveria e Kosovës nuk ka specifikuar një afat të qartë se kur do të nisë procesi i formimit të Asociacionit.
Madje, zyrtarët e kësaj qeverie, i kanë thënë ditë më parë Radios Evropa e Lirë se çështja e formimit të Asociacionit nuk është urgjente dhe se “së pari duhet të hartohet draft-statuti, e pastaj ai të rishikohet sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese dhe Marrëveshjes së Brukselit, si dhe përsëri ai duhet të shkojë edhe një herë për konfirmim në Gjykatën Kushtetuese”.
Pikërisht për shkak se Asociacioni duhet të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, shprehet se e sheh të paarsyeshme zvarritjen e këtij procesi nga ana e institucioneve të Kosovës.
“Në momentin që do të plotësohej ky kusht, do të largohej mundësia që Beogradi edhe më tej të kushtëzojë zgjidhjen e disa problemeve tjera me formimin e Bashkësisë së komunave serbe. Mendoj se Prishtina në këtë rast duhet të tregojë urtësi që ta zgjidhë këtë problem, normalisht, sipas marrëveshjes së Brukselit, e cila në mënyrë të qartë thotë se Bashkësia e komunave serbe formohet sipas ligjeve të Kosovës dhe që Gjykata Kushtetuese është e obliguar të shpallë kushtetutshmërinë. Nëse i shihni të gjitha këto akte, do të shihni se që kjo bashkësi e komunave serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë më të madhe se sa që kanë sot vetëqeverisjet lokale”, shprehet Nojkiq.
Ai thekson se të gjitha këto qëndrojnë në marrëveshjen e Brukselit e nënshkruar në gusht të vitit 2015.
Por, Lista Serbe edhe më parë e ka hedhur poshtë mundësinë që Asociacioni të krijohet sipas marrëveshjes së gushtit të vitit 2015, duke kërkuar që Asociacioni të formohet sipas marrëveshjes së Brukselit e vitit 2013, e cila ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, aktualisht president i Kosovës.
Kjo ka çuar edhe te ngrirja e komunikimit ndërmjet Listës Serbe dhe presidentit Thaçi, thekson Simiq.
“Kjo është një prej arsyeve, sepse ka edhe më shumë. Por, si dikush që personalisht e ka nënshkruar atë marrëveshje, konsiderojmë që ai edhe është personi më përgjegjës për këtë situatë”, thekson Simiq.
Por, Nojkiq, shpreh mendimin se Lista Serbe po gabon në këtë situatë, sepse sipas tij, marrëveshja e vitit 2013 siguron vetëm pajtimin në parim për formimin e Asociacionit, ndërkohë që marrëveshja e gushtit të vitit 2015, i specifikon kushtet e formimit.
“Kjo që e kanë nënshkruar në vitin 2015 dhe tash kinse po e kthejmë prapa, nga kjo nuk do të dalë asgjë. Ky tashmë është dokument zyrtar, kështu shkruhet aty dhe ky është rrëfim i përfunduar”, potencon Nojkiq.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të Marrëveshjes për Asociacionin, e arritur më 25 gusht 2015, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës. /Rel/
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...