Google ADS

Asociacioni i komunave do ta padisë MASHTI-n dhe MSH-në

10:14 | 25 Qershor 2022
L G

Asociacioni i Komunave të Kosovës në mbledhjen e Bordit ka vendosur që të nis procedurën për të paditur Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për nënshkrimin e Kontratave Kolektive për arsim dhe shëndetësi pa konsultim e dakordim me Komunat derisa zbatimi i tyre u tha se po bëhet në dëm të buxheteve komunale.

Bordi ritheksoi që Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk është kundër Kontratave Kolektive por është kundër zbatimit të tyre në formën e deritashme duke ua marrë mjetet financiare komunave kur palë nënshkruese janë institucionet qendrore./arbresh.info/

Postimi i plotë:

Në mbledhjen e Bordit të Asociacionit i Komunave të Kosovës të mbajtur më datën 24 Qershor 2022 është vendosur që të niset procedura për të paditur Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për nënshkrimin e Kontratave Kolektive për arsim dhe shëndetësi pa konsultim e dakordim me Komunat derisa zbatimi i tyre po bëhet në dëm të buxheteve Komunale.

Bordi ritheksoi që Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk është kundër Kontratave Kolektive por është kundër zbatimit të tyre në formën e deritashme duke ua marrë mjetet financiare komunave kur palë nënshkruese janë institucionet qendrore.

Këto dy Kontrata janë nënshkruar pa asnjë konsultim paraprak me Komunat, pa vlerësim të ndikimit buxhetor, pa dakordim me Komunat dhe pa dijeninë e Komunave, derisa obligimet financiare të tyre kanë rënë tërësisht mbi Komunat dhe buxhetet e tyre.

Në Kontratat e nënshkruara thuhet se Qeveria do të planifikoj buxhet por që deri më tani asnjëherë as nuk ka planifikuar e as nuk ka ndarë buxhet për zbatimin e tërësishëm të këtyre dy Kontratave.

Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes përfaqësuesve të saj në Komisionin e Granteve Komunale edhe këtë vit kërkoj nga Qeveria që të planifikohet dhe të ndahet buxhet për zbatimin e këtyre Kontratave, por edhe këtë herë kjo kërkesë e AKK-së është refuzuar.

Komunat edhe pse nuk janë nënshkruese të Kontratave Kolektive po obligohen të mbulojnë shpenzimet dhe borxhet që janë krijuar nga nënshkrimi i këtyre Kontratave duke i’u krijuar Komunave shpenzime të mëdha, përfshirë edhe shpenzimet e procedurave gjyqësore/përmbarimore.

Në anën tjetër, Komunat nuk po kanë përkrahje buxhetore për shlyerjen e këtyre obligimeve dhe si pasojë e neglizhencës së kërkesave të Komunave ndaj Qeverisë, Zyra Kombëtare e Auditimit me rastin e hartimit të raporteve të auditimit po konstaton që komunat po bëjnë keq-klasifikim të shpenzimeve buxhetore.

Kostoja financiare për zbatimin e këtyre Kontratave është e papërballueshme nga buxhetet komunale.

Kjo praktikë ka ndikuar dhe është pengesë në mos realizimin e shumë projekteve kapitale e të cilat projekte ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit.

Duke marrë për bazë këto fakte, Asociacioni i Komunave të Kosovës do të paditë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit dhe Ministrinë e Shëndetësisë përmes PADISË SË DETYRIMIT.

Me këtë rast, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, autorizon Drejtorin Ekzekutiv të AKK-së, Sazan Ibrahimi për procedim të mëtutjeshëm të kësaj padie.

Të ngjashme