Ende nuk dihet saktësisht nëse faturimi i energjisë elektrike nga katër komunat e banorëve serbë do të vazhdoj të jetë barrë për qytetarët tjerë të Kosovës, siç ka qenë tash e 7 vjet.
Por, kryeministri i Kosovës premton se do të ndalë diskriminimin e konsumatorëve.
Zyrtarë nga zyra për Komunikim me Publikun e kryeministrit të Kosovës, thonë për “Arbresh.info” se kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i ka marr të gjitha masat për të ndaluar diskriminimin e konsumatorëve.
“Sa i përket humbjeve në rrjet është rregulluar me parametrat e vendosura në ZRRE. Kryeministri i ka marrë të gjitha masat për të ndaluar diskriminimin e konsumatorëve”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë.
Mirëpo, kjo zyrë nuk ka dhënë ndonjë detaj se çfarë do të ndodh me faturat e qytetarëve serbë të pjesës veriore, për të cilat deri tash kanë paguar qytetarët e pjesës tjetër të vendit.
Në anën tjetër, edhe pse tarifa e konsumatorëve serbë të veriut është paguar nga qytetarët kosovarë tash e 7 vjet, ata shumë vonë e kanë kuptuar se paguajnë edhe për rrymën që nuk e shfrytëzojnë.
Deri më tani asnjë qytetar nuk është ankuar në Institucionin e Avokatit të Popullit për çështjen e faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore.
Zëdhënësja e këtij institucioni, Majlinda Lulaj thotë se asnjë ankesë e qytetarëve nuk është dorëzuar te Avokati i Popullit për këtë çështje.
“Por përkundër kësaj, asnjë qytetar i Kosovës nuk është ankuar në IAP për pagesën e rrymës së pashfrytëzueshme”, tha ajo.
Sipas saj, Avokati i Popullit vazhdimisht ka shprehur qëndrimin kundër kësaj çështje.
“Fakti se Avokati i Popullit ka iniciuar, hetuar dhe trajtuar në bazë të detyrës zyrtare (Ex Officio) çështjen e faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës e reflekton qëndrimin e Avokatit të Popullit lidhur me këtë çështje”, thotë Lulaj.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala thotë se tarifimi i faturave të qytetarëve serb të Veriut të Mitrovicës në tarifat e qytetarëve tjerë të Kosovës është shkelje e të drejtave të njeriut.
“Qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësive etnike nuk janë të detyruar ta paguajnë energjinë elektrike për të tjerët . Secili duhet ti paguajnë faturat vet , dhe këtu nuk as logjikë që ZRRE-ja, tash për shkak të krizës apo problemeve që i ka, ta rris çmimin e energjisë elektrike sepse edhe ashtu çmimet janë mjaft të larta, thuaja janë të papërballueshme për shumicën dërmuese të qytetarëve dhe institucionet duhet të marrin hapa urgjent në mënyrë që ta disiplinojnë ZRrE-në”, thotë Shala.
Ai thotë se nuk mund t’i detyroj qytetarët të dalin në protesta, pasi sipas tij është interes i tyre dhe nëse ata duan të japin një kontribut për ndërprerjen e këtyre padrejtësive që po u bëhet, duhet të protestojnë.
Sipas tij, të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht a janë në veri, apo në jug, duhet të mësohen të paguajnë atë që e shpenzojnë. Shala thotë se shteti duhet të tregoj vendosmërinë rreth kësaj çështjeje.
“Nuk ka në asnjë vend që i detyron qytetarët e vet, që ta paguajnë rrymën për të tjerët dhe këtu nuk ka çka të mbulohet për qytetarët serbë, thjeshtë ata duhet të mësohen që të paguajnë për diçka që shpenzojnë , për diçka që përdorin dhe ky është abuzim flagrant me pjesën veriore të cilin e kanë lejuar dhe kanë kontribuuar institucionet e Kosovës”, shprehet ai.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit të Energjisë javën e kaluar ka kërkuar nga institucionet e vendit që të gjejnë zgjidhje se si të mbulohen kostot e furnizimit me energji në pjesën veriore.
Ndërkohë, propozimi i Avokatit të Popullit për të dalë nga ky problem është që të shfrytëzohet Fondi i Veriut për këtë çështje.
Avokati i Popullit po ashtu ka kërkuar që të bëhet kompensimi i qytetarëve për dëmet që i janë shkaktuar.
Që nga vitit 2011 qytetarët e Kosovës, kanë paguar energji elektrike për pjesën veriore në shumë prej 53 milionë euro.
ZRrE-ja ndërkohë, ka bërë të ditur gjatë një raportimi në Kuvend se faturimi i energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat serbe në veri për pjesën tjetër të qytetarëve të Kosovës është ndalë nga 1 dhjetori i këtij viti./G.Lushi/Arbresh.info/
Veliaj inspekton terminalin veri-perëndimor: Investim i ri q...
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdh...
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...