Asnjë konfiskim i pasurisë së paligjshme këtë vit

08:44 | 1 Nëntor 2018
Arbresh.info

Fajin për zero raste të konfiskimit të pasurisë së paligjshme për periudhën gjashtëmujore të këtij viti koordinatori për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu, ua hedh gjykatave, për të cilat thotë se nuk po i marrin aspak seriozisht këto raste.

“Edhe tremujori i dytë na jep tablo të njëjtë me atë të tremujorit të parë të këtij viti dhe madje tashmë kjo paraqet pasqyrë të gjendjes reale që paraqitet ndër vite, dhe më saktë që nga viti 2014 e deri më sot. Pra, sërish nuk kemi asnjë konfiskim të raportuar. Konfiskimi vazhdon të mbetet në shifrat zero”, është shprehur Fazliu
Derisa u shpreh i kënaqur me rastet e ngrirjes dhe të sekuestrimit të pasurisë, Fazliu fajin për mungesë të rasteve të konfiskimit të pasurisë së paligjshme ua hodhi gjykatave, shkruan Zeri.

Në raportin e paraqitur para KPK-së ai pohoi se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) duhet të marrë përgjegjësinë pse rastet e konfiskimit të pasurisë së paligjshme vazhdojnë të jenë zero. “Përderisa Prokuroria ka vazhduar me ritëm të kënaqshëm të ngrijë dhe të sekuestrojë pasuri të mëdha, në anën tjetër konfiskimet vazhdojnë të jenë minore dhe në numër tepër të paktë të rasteve, ose këtë vit madje ato ende janë në shifrat zero dhe kjo besojmë se nuk do koment tjetër. KGJK-ja duhet të marrë përgjegjësinë për një situatë të tillë dhe të sqarojë përse po ndodh një gjë e tillë”, ka thënë Fazliu.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme