Asnjë ankesë për keqpërdorim votash në PZAP

17:23 | 24 Shtator 2019
Arbresh.info

Bashkatdhetarët tash e disa ditë janë duke publikuar votat e tyre në rrjetet sociale.

Ndonëse ndalohet me ligj publikimi i votës dhe për këtë parashihen edhe masa ndëshkuese, si duket bashkatdhetarët nuk janë në dijeni për këtë.

Tash e disa ditë, në rrjete sociale disa bashkatdhetar janë duke publikuar votat e tyre.

Por në bazë të Kushtetutës së Kosovës, një gjë e tillë është e ndaluar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në nenin dy të këtij ligji, theksohet qartë që askush nuk ka të drejtë ta publikojë votën pasi që vota është e fshehtë dhe e garantuar.

“ Liria dhe fshehtësia e votës është e garantuar. Askush nuk ka të drejtë të pengojë ndonjë qytetar për të votuar, të detyrojë atë të votojë në një mënyrë të caktuar, të mbajë atë përgjegjës për votën, ose të kërkojë kundër dëshirës së tij/saj që të zbulojë votën e tij/saj ose arsyet për mos votim”, thuhet ndër të tjera në nenin dy të këtij ligji ku edhe janë të përcaktuara parimet themelore.

Në anën tjetër pavarësisht këtyre publikimeve, nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), kanë bërë të ditur për lajmi.net, se nuk ka arritur asnjë ankesë për keqpërdorimin e votës në këtë organ.

“PZAP, nuk ka informata zyrtare, respektivisht në PZAP nuk është dorëzuar ndonjë ankesë lidhur me këto keqpërdorime të votave te publikuara në video të transmetuar në mediet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së.

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese, ka thënë për lajmi.net, se vota është e shenjtë dhe se publikimi i saj është i ndaluar.

“Publikimi i votës është i ndaluar me ligj. Do të thotë vota është e fshehtë dhe individuale dhe është çështje e përcaktimit të individit ndaj një subjektit politik, përkatësit e tij, besimi, aderimit deri në besueshmëri të plotë në militantizëm. Pra vota as nuk bën gjatë votimit të fotokopjohet në këtë rast të fotografohet, as nuk bën të ndikohet me të. Janë norma ligjore dhe nënligjore të KQZ-së që e ndalojnë shenjtërinë e prekjes së votës. Vota është e shenjtë, një votë një qytetar. Askush nuk duhet e as nuk guxon të ndikojë e as nuk guxon ta shantazhojë, kushtëzojë dhe as ta blej në forma të ndryshme apo kushtimisht nëse mund të them ta trafikojë votën”, u shpreh Baraliu.

Mirëpo, sa i përket publikimit të votës nga bashkatdhetarët, Baraliu ka thënë për lajmi.net, se ky ose mund të jetë manipulim ose mërgimtarët nuk janë në dijeni se një gjë e tillë ndalohet me ligj.

“Veprimet e tilla edhe këto të kësaj natyre që dikush përmes asaj postës, ani pse ajo nuk po shihet qartë, por duket që është një manipulim. Edhe kryesuesja e KQZ-së, e ka thënë atë edhe unë mendoj se është diçka që thjeshtë dikush ka gjuajtur një pluhur për të bërë mjegull para syve tanë, por sido qoftë të gjitha këto janë të ndaluara dhe veprimet e tilla nuk i lejohen askujt prandaj duhet edhe qytetarët e diasporës duhet të kenë kujdes sepse mund të jenë të shtyrë nga dikush ose të iniciuar nga ndonjë interes ose edhe vetë ashtu pa i ditur dispozitat ligjore”, u shpreh Baraliu.

Sipas tij, pavarësisht se jetojnë jashtë shtetit, bashkatdhetarët përderisa kanë të drejtë vote, ata janë qytetarë të Kosovës dhe ata duhet të përgjigjen para ligjit.

“Bashkatdhetarët duhet ta kenë parasysh që janë qytetar të Kosovës deri sa kanë të drejtë vote dhe se çdo cenim i fshehtësisë së votës, i drejtës së votës dhe sidomos i asaj që quhet, intimitet, përcaktim personal i pavarur është i garantuar me ligj dhe nëse cenohet ajo, cenohet norma ligjore dhe veprimet e tilla janë të sanksionuara me ligj dhe mund të ketë pasoja penale sepse Kodi Penal për më tepër e parasheh në disa nene parasheh veprime të cilat cenojnë procesin zgjedhor, ndikimin dhe të gjitha që kanë të bëjnë me një proces dinjitoz, fer dhe demokratik zgjedhor që cenohet nga çdo kush, dënohet me Kodin Penal dhe njerëzit do të duhej të përgjigjeshin para ligjit”, u theksoi Baraliu.

Duhet theksuar se votimi me postë ka filluar më 19 shtator dhe do të zgjasë deri më 5 tetor.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit kanë qenë 40 mijë e 313 aplikacione për regjistrim që janë pranuar dhe proceduar, por që janë aprovuar vetëm 35 mijë e 87 aplikacione pasi që 5 mijë e 226 aplikacione janë refuzuar për shkak të mosplotësimit të kritereve të përcaktuara me ligj.

Kujtojmë se deri të zgjedhjet e parakohshme ka ardhur si pasojë e dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, me arsyetimin se është ftuar në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme