Google ADS

Asnjë ambasador s’mund të shkarkohet pa pëlqimin e Presidentit

17:52 | 22 Shkurt 2020
A. B.

Kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca, s’mund ta shkarkojë asnjë ambasador pa marrë lejen e Presidentit Hashim Thaçi. Kushtetuta dhe Ligji për Shërbimin e Jashtëm i japin kompetenca Shefit të Shtetit të nxjerrë dekret për emërim dhe shkarkim të shefave të Misioneve Diplomatike. Ministri i Jashtëm mund të shkarkojë vetëm diplomatët e rangjeve tjera.

Ish-Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, tash Ministër i Punëve të Jashtme, s’ka fuqi ligjore dhe kushtetuese ta shkarkojë asnjë ambasador. Të gjitha vendimet për rangun më të lartë diplomatik duhet të shkojnë përmes Zyrës së Presidentit.

Konjufca ka fuqinë ligjore të bëjë propozimin por jo edhe të marrë vendimin final për të kthyer apo shkarkuar një ambasador.

Kushtetuta e Republikës i jep kompetenca ekzekutive Shefit të Shtetit kur në pyetje janë emërimet dhe shkarkimet e udhëheqësve të ambasadave.

“Emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë”, shkruan në nenin 84, pika 25 e Kushtetutës.

Mirëpo, Shefi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, mund të shkarkojë ose kthejë në Kosovë secilin diplomat përfshirë edhe konsujt nëse konstaton se kanë shkelur ligjet.

Sipas Ligjit, Presidenti mund të kërkojë përfundimin e mandatit të një ambasadori nëse bën kërkesë vetë ambasadori; për shkak të vlerësimit negativ të punës së tij; për shkelje të ligjeve; kur shteti pranues kërkon një gjë të tillë;

“Tërheqja e të gjithë përfaqësuesuesve të tjerë diplomatikë, duke mos e përfshirë shefin e misionit, për të njëjtat arsye të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, bëhet me urdhërin e Ministrit të Punëve të Jashtme”, shkruan në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.

Ditë më parë, Konjufca shkarkoi disa zyrtarë diplomatikë të emëruar nga Behgjet Pacolli kur Qeveria ishte në dorëheqje. Aty, u tha se po shkarkohen pasi Pacolli kishte shkelur ligjin kur kishte marrë veprime të tilla. Nuk dihet për shkak të kësaj shkelje ligjore dikush do të japë llogari para Prokurorisë dhe Gjykatave.

Skandali i fundit në fushën e diplomacisë ndodhi kur u dha lajmi nga Presidenti se Xhamajka ka njohur Kosovën. Më vonë doli se ky lajm ishte i rremë pasi një informacion të tillë e mohoi kryediplomatja e Xhamajkës.

Glauk Konjufca ka paralajmëruar se do të marrë masa ndaj cilitdo zyrtar diplomatik që ka bërë shkelje lidhur me këtë njohje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme