Rastet kur mjekët gabojnë, qoftë në përcaktimin e diagnozës apo recetën për përdorimin e ilaçeve, raportohen rrallë apo edhe nuk raportohen fare.
Oda e Mjekëve, është një trup që i ka të gjitha kompetencat dhe autorizimet ligjore që të merren me vlerësimin, pasojat dhe ndërmarrjen e masave në rast të dështimeve profesionale të mjekëve.
Naser Gjonbalaj, nënkryetar i Odës së Mjekëve, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se asnjëherë nuk kanë pasur kërkesë nga qytetarët për denoncimin e gabimeve apo përcaktimit të gabuar të diagnozës nga ana e personelit mjekësor.
“Ne nuk kemi pasur kërkesë eksplicite nga qytetarët për gabime mjekësore, por kemi kërkesa të vazhdueshme për ekspertiza mjekësore nga ana e gjykatës, e që nuk ka të bëjë vetëm me gabime, por është ekspertizë mjekësore. Ne si Odë e Mjekëve e shohim si madhore këtë çështje që i përfshinë gabimet mjekësore, por ne nuk kemi pasur kërkesë për shqyrtim”, tha Gjonbalaj.
Në anën tjetër, raporti i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thotë se çdo vit, 2.6 milionë njerëz vdesin në shtetet me të ardhura mesatare dhe të ulëta, për shkak të pakujdesive gjatë trajtimit shëndetësor.
Gjithashtu aty thuhet se katër nga çdo dhjetë pacientë janë dëmtuar gjatë kujdesit shëndetësor parësor dhe ambulator. Gabimet më të dëmshme kanë të bëjnë me diagnozën, recetën dhe përdorimin e ilaçeve.
Procedurat e pasigurta të kujdesit kirurgjikal shkaktojnë komplikime në deri në 25 për qind të pacientëve që rezultojnë me një milion vdekje gjatë ose menjëherë pas operacionit në vit.
Ndërkohë, në Kosovë ka fare pak raste të raportuara në lidhje me këto gabime eventuale të mjekëve. Kurse në procedurë hetimore, thuhet se është vetëm një rast.
Laureta Ulaj, zyrtare për Informim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, tha se gjatë gjithë vitit 2019, ka qenë vetëm një rast, për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë vitit 2018, ka pranuar shtatë raste për trajtim, lidhur me veprën penale, ‘trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor’, nga neni 260 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq Prokuroria Themelore në Prishtinë, nga fillimi i vitit 2019 e deri më tani, ka pranuar një rast të natyrës së njëjtë”, tha Ulaj.
Kirurgu abdominal, Ferat Sallahu, njëherësh drejtor i kirurgjisë abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se gabimet e mjekëve shpeshherë “i mbulon dheu”.
Ai thotë se kjo ndodh sidomos te rastet e traumave të ndryshme si aksidentet apo sulmet te pacientët, kur shënohen vonesa në trajtimin mjekësor.
“Shpeshherë gabimet profesionale kur bëhen jemi në gjendje t’i evidentojmë dhe si rregull, çdo gabim i bërë i sugjerohet kirurgut që gabimi i lëshuar pa dashje, mos të përsëritet. Ndërkaq, në rastet kur nuk arrijnë pacientët në kohë, atëherë gabimet munden me qenë fatale dhe fatkeqësisht gabimet eventuale i mbulon dheu. Arsyeja është se për shkak të vonesës së pacientëve, gjakderdhjet, mosdhënia e ndihmës profesionale në vendin e ngjarjes, pastaj intervenimi (jo) i shpejtë kirurgjik…, por që pacienti e pëson me jetë. Këto raste gjithmonë kërkojmë që të mos përsëriten dhe kërkojmë që pacientët të shkojnë në obduksion. Por, familjarët në 99 për qind të rasteve nuk pranojnë dhe gabimet i mbulon dheu’’, tha Sallahu.
Ndryshe, viteve të fundit, në Kosovë, ka rënë ndjeshëm numri i autopsive, thonë profesionistë shëndetësorë. Ata theksojnë se para periudhës së luftës, përkatësisht para vitit 1998-99, rastet e autopsive ishin deri në 45 për qind, kurse viteve të fundit numri i tyre shkon në vetëm 2 për qind.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...