Agjencia e Statistikave të Kosovës në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) kanë prezantuar sot raportin për parashikimin e popullsisë së Kosovës 2017-2061, ku në këtë raport parashihet që Kosova në vitin 2061 të ketë 1 milion e 500 mijë banorë.
Duke e krahasuar këtë numër të popullsisë me numrin e tanishëm të banorëve të Kosovës, që është 1 milion e 783 mijë e 531 banorë i bie që do të ketë rënie të popullsisë.
Po ashtu, në këtë raport është paraparë që të ketë edhe vjetërsim të popullatës së Kosovës, ku në vitin 2061 parashihet që mosha mesatare e popullatës të jetë 45 vjeç.
Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi, tha se ky raport ndoshta është alarmi i fundit për institucionet e Kosovës që të shohin se kah po shkojnë trendët e rënies së popullsisë në Kosovë.
Krasniqi: Politikbërësit të shohin se kah po shkojnë trendët e rënies
“Pas publikimit të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës duhet që të analizojnë shumë mirë këtë publikim sepse është ndoshta alarmi i fundit për politik bërësit në Republikën e Kosovës të shohin se kah po shkojnë trendët e rënies së popullsisë në Republikën e Kosovës. Në qoftë se e përcjellin këtë dekadë pas dekade do ta shihni se çfarë zbritje do të ketë popullsia e Kosovës në vitin 2061 në qoftë se mbetet trendi i tillë”, tha ai.
Sipas tij, ky publikim është shumë i rëndësishëm për institucionet kërkimore, analistët e ndryshëm, për organizatat ndërkombëtare, por më i rëndësishëm sipas tij është për institucionet vendimmarrëse të Kosovës.
Ndërsa, Udhëheqësja e Programit të UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko-Nimani, tha se raporti i tillë mundëson në masë të madhe formimin e kornizës të një pune të vazhdueshme në përpilimin, testimin, vlerësimin dhe implementimin e një plani.
Ndërsa tha se parashikimet e tilla mund të paralajmërojnë politikbërësit për trendët e mëdha që mund të ndikojnë në zhvillim ekonomik.
Nimani: Parashikimet e popullsisë mund të paralajmërojnë për trendet e mëdha
“Parashikimet e popullsisë mund të paralajmërojnë politik bërësit për trendët e mëdha që mund të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe të ndihmojnë që të përpilojnë politika që mund të adaptohen për skenarë të ndryshme të parashikimeve. Parashikimet për të ardhmen, për moshës dhe seksit të popullsisë janë esenciale për vlerësimin e incidencës dhe prevalencës të sëmundjeve të ndryshme, numrin e spitaleve, numrin e shtretërve, nevojën për profile të ndryshme mjekësore e të tjera”, tha ajo.
Në anën tjetër, koordinatori Nacional i MCC-së për Kosovë, Petrit Selimi, paraqiti një statistikë që sipas tij ka shumë të bëjë me gjetjet e parashikimit të popullsisë. Ai bëri të ditur se sipas një hulumtimit vetëm 12 muajt e fundit 480 mijë kosovarë kanë hapur llogari në rrjetin social Instagram.
Selimi: Gjatë 12 muajve të fundit 480 mijë kosovarë e kanë hapur Instagramin
“Gjatë 12 muajve të fundit saktësisht 480 mijë kosovarë e kanë hapur një konto në instagram, prej janarit të vitit të kaluar deri sot ku jemi 480 mijë, do të thotë gjysmë milioni kosovarë e kanë hapur një llogari në instagram. Për ata që bëjnë biznes dhe për ata që këqyrin trendët e informimit, komunikimit, qasjes kur ta dimë që më pak se 2 përqind njerëzve sot informohen prej gazetave dhe gjysmë milion kosovarë për një vit e kanë hapur llogari në instagram veç kjo informatë e shpalos komplet një ide se qysh është zhvilluar dhe sa dramatikisht po lëvizin gjërat sidomos këto 12 muajt e fundit. Çështjet si fake neës apo informimi parcial bazuar vetëm në rrjete sociale pa kurrfarë referenca të tjera janë probleme të reja që dalin”, tha ai.
Selimi tha se nëse injorohen numrat që dalin në grupmoshat edhe ku janë ata njerëz sot rrezikohet potencialisht thelbin e demokracisë, pasi që informimi, interaksioni, komunikimi, transparenca janë pika themelore të një shoqërie të shëndetshme dhe rrënjët qëndrojnë në statistika.
Ky raporti i dytë mbi parashikimin e popullsisë së Kosovës është bërë për shkak të ndryshimeve të theksuara demografike të ndodhura përgjatë këtyre viteve, krahasuar me ato që ishin parashikuar në raportin paraprak që për bazë kishte vitin 2011.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...