Google ADS

Ashensorët në Pallatin e Drejtësisë ende të pacertifikuar

16:06 | 22 Maj 2017
L G

Ashensorët e Pallatit të Drejtësisë ka një vit e gjysmë që funksionojnë të pacertifikuar. Rreziku i përdorimit të tyre vazhdon të mbetet i përhershëm, duke pasur parasysh incidentet që kanë ndodhur më herët në këta ashensorë.

Në prill të vitit 2015, njëri nga ashensorët në Gjykatën e Apelit i kishte lëshuar 4 punëtorë të saj. Nga lëndimet e marra, të njëjtit ishin dërguar për të marrë trajtime mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Objekti i Pallatit të Drejtësisë dhe ashensorët e vendosur aty menaxhohen nga Ministria e Administratës Publike (MAP). Mirëpo, zyrtarët kompetent të kësaj ministrie ende nuk kanë zbatuar obligimet e tyre për të filluar procedurën për certifikim e këtyre ashensorëve.

“Betimi për Drejtësi” ka vizituar të gjithë ashensorët e Pallatit, në të cilët gjenden njoftimet publike për kohën e skadimit të certifikimit të ashensorëve.

Gëzim Kastrati, person përgjegjës për menaxhimin e objektit në fjalë, për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se certifikim i ashensorëve në Pallatin e Drejtësisë veç është në procedurë të prokurimit, duke mos dashur të deklarohet më tej.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe udhëheqësin e Divizioni për Komunikim Publik, Zeqir Bekolli, i cili deklaroi se MAP-i ka iniciuar procedurat e prokurimit për të bërë vlerësimin e gjendjes së gatishmërisë, si dhe për të marrë lejet për përdorimin e  ashensorëve në fjalë.

Tutje në përgjigjen e tij, Bekolli tha se vlerësimin e gjendjes së ashensorëve e bën kompania e zgjedhur dhe e licencuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI). Sipas tij, kjo ministri njëkohësisht jep edhe sugjerime dhe vërejtje lidhur me gjendjen e ashensorëve.

“Me të dhënë raportin për gjendjen, MAP-i  pastaj i merr për bazë këto vërejtje dhe sugjerime , dhe pas kësaj procedure eliminohen parregullsitë dhe jepet leja për përdorim të ashensorëve, në rastin konkret edhe të ashensorëve të Pallatit të Drejtësisë”, deklaroi Bekolli.

Të kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi” për të kuptuar se pse procedura e prokurimit nuk është bërë më herët, zyrtarët e MAP-it nuk kanë dhënë përgjigje./Betimi për Drejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme