Eman Rrahmani, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Asamblenë e Komunës së Prishtinës, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka mohuar akuzat e Komunës se sot ka kërcënuar një zyrtare, derisa ka kritikuar Shpend Ahmetin për moszbatimin e 100 pikave të planprogramit me të cilin kishte fituar mandatin e dytë në Prishtinë.
Asamblisti ka akuzuar Ahmetin se nuk ka nisur asnjë projekt të ri. Sipas tij, pas dore i kanë mbetur edhe projektet e nisura më parë.
“Nuk ka asnjë projekt të ri, as edhe projektet e vjetra nuk janë duke vazhduar. Ne kërkojmë që në qeverisje të kemi përgjegjësinë që procesi i krijuar për katër vite të vazhdojë”, ka thënë Rrahmani.
“Ai nuk ec vetë pa ia bërë një shtyrje. Jo, nuk ec vetë. Ne kërkojmë të zbatohet programi 100 pikësh. Asnjë pikë nuk ka filluar të zbatohet. 100 pikëshi është obligim që të zbatohet me përpikëri. Ne po kërkojmë çdo ditë që të realizohen këto premtime. Ai po i transferon planet te subjektet tjera”, ka thënë Rrahmani që ka mohuar se VV-ja po kritikon vetëm Ahmetin.
“VV-ja nuk punon kundër Ahmetit. E rëndësishme është që qytetarët të jenë të kënaqur me punën e Komunës”, ka thënë ai.
Duke folur për takimin me qytetarët për të cilin Komuna e ka akuzuar se ka kërcënuar zyrtaren, Rrahmani ka thënë se ishte i ftuar në takim së bashku me banorët e rrugës “Elena Gjika” të Kodrës së Trimave.
“E marta është ditë takimi me palë dhe një ditë më herët kemi njoftuar të gjithë përgjegjësit. Kam qenë i ftuar për takim, unë falënderoj qytetarët e Kodrës së Trimave dhe për sjelljen e tyre qytetare që ka qenë për rregullimin e rrugës që po vonohet nga Shpend Ahmeti tash e pesë vjet. Deklarimet se ka pasur kërcënime dhe hyrje me dhunë janë qesharake”, ka sqaruar Rrahmani.
“Kam shkuar pesë minuta para se të shkojnë banorët, kanë qenë rreth 30 veta. Na priste zyrtarja. Ajo nuk është që na ka mirëpriti, por e dimë se ajo nuk e ka fuqinë për të marrë vendime. Ne kemi dashur ta takojmë drejtorin për investime kapitale, Gëzim Mehmetaj, por ai ka ikur dhe nuk ka dashur t’i takojë qytetarët. Ka dalë një zyrtare e tij. Zyra nuk i zë 30 vetë, kemi hyrë pesë apo gjashtë veta. Nuk ka pasur debat të nxehtë. Ne insistonim që të vinte drejtori. Nuk ka pasur ngritje zëri nga asnjëri qytetar. Është e turpshme ajo çfarë thotë Komuna e Prishtinës”, ka thënë veç të tjerash ai./Koha.net/
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...