Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it ka vendosur të dërgojë dosjen e Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që sivjet do të mbahet në Kili.
Njohësit e sigurisë dhe çështjeve politike në vend, nuk po shohin shumë shpresë që Kosova do të arrijë sivjet anëtarësimin në organizatën ndërkombëtare më të madhe të policisë, meqë sipas tyre nuk është punuar mjaftueshëm në këtë drejtim.
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ditë më parë tha se Policia e Kosovës u cilësua në nivelin më të parë të profesionalizmit dhe kredibilitetit, si organizatë policore moderne dhe me standarde të avancuara.
Pacolli njoftoi se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it në Francë, ka debatuar rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës, dhe ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it.
“Përbërja e Komitetit Ekzekutiv për vitin 2019 nga gjithsej 10 shtete pjesëmarrëse, në debatin e sotëm, ishin vetëm tri shtete të cilat e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë dhe pothuajse të gjithë pjesëmarrësit argumentuan në favor të aplikacionit të Policisë së Kosovës për të proceduar më tutje në Asamblenë e Përgjithshme. Prandaj, urojmë që edhe Serbia të i thërret zërit të arsyes dhe të mos veproj me obstruksionet e saj kundër paqes dhe sigurisë. Do të ishte primitive dhe jashtë çdo logjike, pengimi dhe lobimi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në organizatën ndërkombëtare të Interpolit, dhe në anën tjetër të flasësh për paqe dhe siguri”, ka shkruar Pacolli.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani shpreson që përpjekja e shtetit të Kosovës, edhe njëherë, për anëtarësim në INTERPOL, mos të ketë qenë edhe një hap tjetër jo i koordinuar mirë.
Sipas saj, çakordimi në fushën e politikës së jashtme mund të rezultojë me një dizastër total për imazhin e Kosovës në botë, dhe procesi ne shtet-ndërtimit.
“Nuk dihet sigurt ku qëndron Kosova me vota, duhet një punë shumë dimensionale që nuk nënkupton vetëm punën e Ministrisë së Jashtme por duhet të mësohet nga gabimet e së kaluarës, dhe Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme duhet të shohin ku kanë dështuar në aplikimin e kaluar që nuk arritën të bëjnë votat e nevojshme për anëtarësim. Një dështim i radhës për Kosovën do të ishte shumë i dëmshëm prandaj edhe Ministria e Punëve të Jashtme si mbikëqyrëse e këtij procesi dhe institucioneve të tjera që i përfshin në punën e lobimit për INTERPOL duhet të jetë shumë më aktive, që të ngris niveli ne bashkëpunimit me shtetet mike të cilat përmes demarsheve që mund t’i dërgojnë në shtetet anëtare të INTERPOL-it mund të ndihmojnë shumë”, thotë ajo.
E sipas Nuredin Ibishit, njohës i sigurisë, vetëm lobimi i duhur mund të sjell rezultate.
Ai thotë se nëse bëhet një strategji, një plan i veprimit dhe angazhohen kapacitetet e jashtme, Kosova mund të ia dalë.
Por ai nuk po sheh lobim të duhur nga institucionet e Kosovës.
“Realisht nuk kemi lobim të duhur, kjo po shkon shumë ngadalë. Vitin e kaluar u harxhuan 1 milionë euro, që nuk dihet se ku shkuan, dhe dështuam, mu për atë se nuk filluam mirëfilli, me shumë probleme të ndërrimit të ministrave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mandej një neglizhencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe realisht që këtë vit po shkon gati njëjtë”, thotë ai.
Megjithatë, ai thotë se nuk duhet humbur shpresa, që sipas tij, vëmendja duhet të drejtohet në lobimin e shteteve mike.
“Prapë nuk duhet humbur shpresat sidomos në lobimin të partnerët tonë strategjik dhe vendet mike. Mos të harrojmë që vitin e kaluar i kemi dy shtete që na kanë njohur e nuk na kanë votu, mu për shkak të mungesës së lobimit. Nëse vazhdojmë me këtë trend të keq, kemi me dështu, por nëse fillojmë me një azhuritet, me qenë më agil në qendër të vendosjes, sidomos diplomacinë e shteteve mike, mendoj që mund të ia dalim”, thotë ai.
Njohësit e zhvillimeve politike në vend po konsiderojnë se nuk janë nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e vitit të kaluar, kur Kosova dështoi t’i bashkohet familjes së madhe të Policisë.
Rasim Alija thotë se duke marrë parasysh zhvillimet e vitit të kaluar dhe përgjatë këtij viti, rezultatet sivjet pritet të jenë të njëjta.
“Ende nuk kemi parë si opinion publik, strategji të përcaktuar qartë se cilat kanë qenë mësimet e zëna prej dështimit të herës së kaluar për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL, në anën tjetër nuk besoj që Serbia ka ndryshuar qasjen e lobimit kundër Kosovës. Kur i bëjmë bashkë këto dy aspekte, rezultati do të jetë i njëjtë, jam shumë skeptik që Kosova edhe kësaj radhe do të mund të anëtarësohet në INTERPOL dhe thjesht mbetët dëshirë e verës por pa ndonjë rezultat konkret ose produkt final që do të ishte anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL. Me një politike të jashtme shumë anemike dhe pasive gjatë kësaj kohe, dhe me ndërrimet e shpeshta në Ministrinë e Brendshme, të ministrave, humbet edhe memoria institucionale dhe shkëputet lidhjet, dhe si e tillë e dëmton procesin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”, thotë ai.
Vazhdimisht, gjatë përpjekjeve të Republikës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, diplomacia e Serbisë kishte angazhuar kundër-lobim, me qëllim të pengimit të anëtarësimit, transmeton Telegrafi.com.
Aktualisht, raportet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë më të avancuara se në vitin e kaluar, kur shteti fqinj bëri përpjekje maksimale që Kosova të mos të jetë pjesë e INTERPOl-it.
Tani, ndaj Serbisë është e vendosur edhe taksa 100% për mallrat që vinë nga atje.
Kujtojmë se në vitin 2018 Kosova nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, meqë nuk mori votat e mjaftueshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate.
Në raundin e parë, Republika e Kosovës mori mbështetjen nga 76 shtete, ndërkohë kundër i kishte 56, dhe 22 abstenime.
Ndërsa në raundin e dytë të votimit, Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.
Përpjekje për anëtarësim në INTERPOL Kosova bën që nga viti 2010, por që nuk merrej parasysh nga Komiteti Ekzekutiv.
Në vitin 2015 dhe 2016 kishte aplikuar por nuk kishte arritur të futej në agjendën zyrtare.
Derisa më 2017 ishte Kosova ajo që e tërhoqi vet kërkesën, meqë nuk kishte mbështetje të mjaftueshme.
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit