Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën, ka shpallur aktgjykim lirues në rastin e njohur si “Veteranët”.
Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzoheshin ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Aktgjykimi në fjalë është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj.
Sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nuk ishte vërtetuar se të akuzuarit kishin kryer veprat penale ashtu siç pretendonte Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Sipas saj, pretendimi i PSRK-së se të akuzuarit me dashje nuk kishin shfrytëzuar autoritetin zyrtar, sipas nenit 422 të Kodit Penal, mos përmbushja e detyrës zyrtare parasheh kur personi zyrtar nuk e kryen detyrën zyrtare, nuk merr detyrim zyrtar që është i obliguar ta merr, në rastin konkret PSRK vetëm kishte parafrazuar këtë dispozitë ligjore pa përcaktuar se cili nen kishte përcaktuar detyrat e KVSh-së.
Ajo tha se në pjesën e tretë të dispozitivit të aktakuzës ku përcaktohet se të gjithë të pandehurit në kundërshtim me ligjet, rregullat e përcaktuara nga vet komisioni u kishin mundësuar personave të tjerë të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, sipas saj, PSRK-ja nuk kishte përcaktuar se cilat ligje nuk ishin respektuar.
Pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitarëve, dhënies së mbrojtjes nga ana e të akuzuarve gjykatësja Kuka-Meka tha se kishin ardhur në përfundim se kishin të bëjnë me dy ligje të cilat në të njëjtën kohë kishin qenë në fuqi.
“Ligji 04/L-054 dhe 04/L-261 si dhe rregullorja e aprovuar nga qeveria me numër 23/2012, në vlerësim të këtyre ligjeve në fuqi, edhe pse PSRK në dispozitiv të aktakuzës nuk ka përcaktuar se cilat kanë qenë detyrat e komisionit dhe cilat detyra nuk i kanë respektuar apo përmbushur, gjykata ka gjetur se fillimisht KVSh-ja ishte formuar me një vendim të qeverisë të viti 2012, i cili vendim ka shfuqizuar vendimin e mëhershëm dhe si fakt nënligjor ka pasur rregullorja 23/2012 në bazë të së cilës është përcaktuar metodologjia e punës si dhe kompetencat e KVSh-së”, ka thënë gjykatësja.
Ajo ka thënë se është vërtetuar se KVSh-ja kishte vepruar konform rregullores nr. 23/2012 për komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikim e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së, dhe dhe ligjeve 04/L-054 dhe 04/L-261.
Sipas saj, në lidhje me periudhën kohore e cila ishte përfshirë në aktakuzë, gjendja faktike sipas saj ishte vërtetuar ndryshe pasi sipas Kuka-Mekaj, anëtarët e KVSh-së, nuk ishin anëtarë të këtij komisioni në periudhën kohore si në aktakuzë, ngase përbërja e këtij komisioni kishte pësuar ndryshime në periudha të ndryshme kohore.
“Agim Çeku dhe Ahmet Daku janë bërë pjesë e KVSh-së në 2012, ndërsa aktakuza pretendon se që nga viti 2011 kanë kryer vepre penale, ndërsa Nuredin Lushtaku ka marrë pjesë vetëm në një mbledhje dhe në të cilën mbledhje nuk është marrë asnjë vendim”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ishte vërtetuar se KVSh-ja nuk kishte ndërmarrë asnjë të vetmin veprim jashtë detyrave të tyre zyrtare dhe se pretendimi i PSRK-së se përfaqësuesit e shtatë zonave kishin keqpërdorur detyrën zyrtare duke bërë kategorizimin e veteranëve, ajo tha se kishin vërejtur kundërthënie, paqartësi, ngase sipas saj, në njërën anë thuhet se si anëtar të KVSh-së kishin keqpërdorur detyrën ndërsa në anën tjetër thuhet se KVSh-ja i kishte autorizuar përfaqësuesit e zonave për të bërë kategorizimin e veteranit të UÇK-së.
“Sa i përket kategorizimit të veteranit apo kategorive të tjera të dala nga lufta bazuar në provat e administruara është gjetur se ligji 04/L-054, në nenin 3 pika 1.9 ka përcaktuar statusin e veteranit të UÇK-së në mënyrë shprehimore “qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së, dhe është regjistruar si ushtar nga shtabet e zonave operative të UÇK-së, gjatë periudhës 1997-1999, ndërsa ligji 04/L-161, i cili ka hyrë në fuqi tri vite më vonë statusin e veteranit luftëtar e ka përcaktuar në këtë mënyrë “është qytetar i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK-së dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga shtabet e zonave operative të UÇK-së dhe i cili ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës”, pra siç po shihet ka një ndryshim në ligjin 04/L-261 sa i përket këtij kriteri ku janë kategorizuar statuset e veteranit luftëtar”, ka thënë gjykatësja.
Sipas saj, Ligji 04/L-161 kishte ndryshuar edhe kompetencat e KVSh-së duke mos shfuqizuar kompetencat që ishin dhënë në ligjin 04/L-054, dhe sipas saj në dispozitiv të aktakuzës nuk ishte cekur se cilit ligj ia kishte dhënë kompetencat dhe cilat kompetenca ishin shkelë nga anëtarët e komisionit, pasi sipas saj në të dyja ligjet kishin dallime në kompetenca .
“Sa i përket 19,500 aplikacioneve të cilat nga PSRK pretendohet se janë të kundërligjshme dhe të bazë të tyre ka përfitues të kundërligjshëm, gjykata nuk e ka pasur objekt shqyrtimi që të vlerësojë nëse këta përfitues janë të ligjshëm apo të kundërligjshëm, pasi që PSRK ka ndarë hetimet dhe të gjithë aplikantët për të cilët pretendohet se kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme që nga viti 2017, janë në kompetencë të hetimit të prokurorisë regjionale dhe sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Punëve dhe Mirëqenies Sociale deri me tani kemi vetëm një aktgjykim të formës së prerë i cili ka të bëjë me falsifikim të dokumentet përkatësisht me falsifikim të certifikatës së veteranit”, ka thënë gjykatësja Kuka-Mekaj.
Ajo ka thënë se gjatë administrimit të provave gjykata kishte gjetur se në mesin e 19,500 personave që pretendohet se janë përfitues të kundërligjshëm nga të gjithë dëshmitarët dhe të akuzuarit, ishte vërtetuar se një numër i tyre gjenden pa të drejtë në këto lista.
Sipas saj, Neni 42 i ligjit 04/L-261, kishte përcaktuar se qeveria rast se ndonjë person në mënyrë të padrejtë kishte përfituar benificione, kishte mundur të bëjë auditimin dhe përfituesve të padrejtë të ua ndërpresë benefitet e përfituara kundërligjshëm, e që sipas saj, gjatë këtij procesi gjykatës nuk i ishte ofruar ndonjë provë se ishte bërë ndonjë auditim lidhur me përfitime te kundërligjshme.
“Gjatë procesit gjyqësor është konstatuar se qeveria e Kosovës me vendimin e 13 maj 2016, ka obliguar KVSh-në që deri me 20 maj 2016, të përmbyllë procesin dhe qeverisë ti dërgoj raportin përfundimtar me të gjithë dokumentacionet përcjellëse që do të thotë që KVSh ka pasur vetëm një javë afat që të përmbyllë raportin, që do të thotë KVSh ka vepruar sipas këtij vendimi të qeverisë dhe ia ka dorëzuar qeverisë, duke prononcuar që të bëjë një verifikim të mirëfilltë për të bërë krahasimin e listave me aplikacionet dhe në këtë rast është gjetur se ka munguar dashja e anëtarëve të KVsh-së që kundërligjshëm t’ua njohin statusin e veteranit”, ka thënë Kuka-Mekaj.
Sipas saj, PSRK-ja nuk kishte arritur që të bind gjykatën se kishte ekzistuar dashja e të pandehurve që për vete apo të tjerët të përfitojnë dobi pasurore të kundërligjshme, për shkak se sipas saj, KVSh-ja kishte përpiluar vetëm raportin përfundimtar në bazë të listave të ofruara nga komandantët e zonave duke i votuar dhe aprovuar me mirëbesim.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin të vitit 2019.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro./BetimipërDrejtësi/
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...
Pati një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Akron – Mirlind D...
Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, Hoxha: Të ndërt...
Shërbimi i Self Check-in tani edhe në Aeroportin e Prishtinë...
Në Speciale fillon dëshminë Halil Çadraku