Fakti se Enver Sekiraqa kishte qenë në arrati pas ditës kritike kur ishte vrarë polici Triumf Riza dhe dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë rrisin rrezikun që ai të ikte prape, ishin dy arsyet se pse Gjykata e Apelit më 15 maj 2024, kishte vendosur që Sekiraqes t’i caktoi masën e paraburgimit.
Gjykata Themelore e Prishtinës, më 3 maj 2024 të akuzuarin Sekiraqa e kishte lënë të mbrohet në liri, ndonëse e kishte dënuar më 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por, pas vendimit të Apelit më 18 maj 2024 Enver Sekiraqa nuk është kthyer në paraburgim por ka arritur të arratiset. Policia të njëjtin nuk e kishte gjetur në shtëpi.
Ankesën kundër vendimit të Themelores, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e kishte arsyetuar duke thënë se gjykata e shkallës së parë pas shpalljes se të pandehur fajtor nuk ka marrë parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, vendin ku është kryer, mënyrën e kryerjes, pasojat e shkaktuara me humbjen e një personi zyrtar,
“Meqenëse gjykata ka shpallur fajtor të pandehurin për veprën penale duke shqiptuar dënim me burgim me kohëzgjatje prej 25 viteve, sipas prokurorisë është dashur që të caktohet masa e paraburgimit deri aktgjykimi të marrë formën e prerë”, citohet të këtë thënë në ankesë prokuroria.
Përgjigje në ankesë kishte parashtruar avokati Besnik Berisha, duke kërkuar që të hidhet poshtë ankesa si e palejuar.
Në gjetjet e Apelit thuhej se shkalla e parë nuk ka dhënë arsye mjaftueshme peshën e mos vazhdimit të masës së arrestit shtëpiak dhe ka nuk ka vepruar drejtë kur të pandehurit i është caktuar mbrojta në liri.
“Kolegji ka parasysh se në rrethanat e këtij rasti që rrjedhe se vepra penale është e rëndë dhe se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës se parë është i lartë këto dy rrethana e ngritin lartë rrezikun e arratisjes se të pandehurit po që se i njëjti lihet për tu mbrojtur në liri”, thuhej në arsyetim.
Tutje, Apeli kishte vlerësuar se rreziku evidentohet edhe nga shkresat e lëndës ku pas ngjarjes ditën kritike i pandehuri kishte qëndruar në arrati për një kohë të gjatë dhe duke pas parasysh dënimin ai mund të arratiset serish.
Veç tjerash në vendim thuhej se gjykata ka pas parasysh që i pandehuri kishte respektuar masat paraprake dhe nuk ka pasur shkelje, por tani pas shpalljes se aktgjykimit mund të shfaqen pengesa.
I akuzuari Enver Sekiraqa, më 3 maj 2024, për herë të tretë pas kthimit të rastit në rigjykim u dënua me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthejë në paraburgim Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.
Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.
E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.
Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.
Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.
Haradinaj: Aleanca me partnerët, forca e vetme për përparim ...
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...