“Asnjë cent më shumë”. Qytetarët nuk duan tu shtrenjtohet energjia elektrike, siç është paralajmëruar. Për këtë edhe kanë vendosur të dalin në rrugë të mërkurën kundër fryrjes eventuale të faturave nga marsi i viti të ardhshëm.
Alarmin për këtë e ka dhënë vetë Kryeministri Ramush Haradinaj pasi nënshkroi marrëveshjen për fillimin e ndërtimit të Termocentralit të ri Kosova e Re.
Haradinaj kishte deklaruar se rritja e çmimit të energjisë është e pashmangshme dhe se ndodh në tërë botën.
Paralajmërime të njëjta kishin dhënë më parë edhe opozita dhe disa organizata të shoqërisë civile.
“Rritja e energjisë elektrike është e pashmangshme; është e çmimeve të tregut, jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë. Por nuk ndikon kjo kontratë në rritjen e çmimit dmth kur prodhojmë me kapacitete të vjetruara si sot, dhe nuk kemi mundësi t’i përmbushim kërkesat tona, ne blejmë rryme mbi 100 euro megavatin. Ndërsa me kontratën e re është rreth 70 euro çmimi i megavatit”, kishte thënë Haradinaj.
Kësaj rritje të pritet ti kontribuoi edhe kostoja e shpronësimit të fshatrave Hade e Shipitullë, për nevoja të nxjerrjes së thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike.
ZRRE: Importi i rrymës, shkak për shtrenjtimin e energjisë
Por, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk kanë dashur të komentojnë deklarimet e kryeministrit dhe thonë se respektojnë të drejtën e qytetarëve për të shprehur mendimin e tyre në forma demokratike
Adelina Murtezaj, zyrtare për marrëdhënie me publikun në ZRRE, kanë thënë për Gazetën Fjala se kufizimet e operimit me gjeneratorë dhe nevoja e rritur për import të energjisë kanë ndikuar që të shtrenjtohet çmimi i energjisë, si dhe thonë që kanë kërkuar nga institucionet që të qartësojnë ndikimet që këto zhvillime mund të kenë në tarifa.
“Për shkak të zhvillimeve të fundit në sektor, sidomos me kufizimet e operimit të gjeneratorëve dhe nevojën e rritur për import të energjisë elektrike, ZRRE vazhdimisht ka kërkuar të dhëna nga operatorët si dhe reagim nga institucionet për të qartësuar ndikimet që këto zhvillime mund të kenë në tarifa”, thuhet në përgjigjet e ZRRE-së, drejtuar Gazetës Fjala.
Por, se për sa euro do të shtrenjtohet energjia elektrike për këtë nuk kanë njohuri as nga Zyra e Rregullatorit.
“Deri më tani nuk ka ndonjë përllogaritje përfundimtare të ndryshimeve eventuale tarifore për shkak të ndryshimeve dhe paqartësive të krijuara në sektor kohëve të fundit.”
Ata thonë se qytetarët do të paguajnë me çmimin e njëjtë deri më 1 prill të vitit 2018, ndërsa shpresojnë që deri më 15 mars të merret një vendim për tarifat e ardhshme. Ndonëse për këtë janë skeptikë, pasi që ende nuk kanë një Bord funksional që do të merrte vendime të tilla.
“Megjithatë Vendimi për tarifat aktuale të energjisë është në fuqi deri me 1 prill 2018 dhe ZRRE shpreson që deri me 15 mars 2018 të merret vendimi për periudhën e ardhshme tarifore, natyrisht nëse arrin që deri atëherë të ketë Bord funksional për të marr vendime”, kanë thënë nga ZRRE për Gazetën Fjala.
Por, shtojnë se të gjitha raportet janë publike dhe ftojnë institucione dhe të gjitha palët e interesuara që të japin komentet dhe kontributin e tyre në lidhje me këto raporte dhe kërkesa të operatorëve.
KEDS-i fajëson ZRRE-në për shtrenjtim të rrymës
E paralajmërimi i qytetarëve për protestë ka ngjallur reagimin e KEDS-it.
KEDS-i ka larguar përgjegjësinë nga vetja për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke ia hedhur fajin për këtë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike.
Në këtë institucion thonë se protestat po bëhen në adresë të gabuar, pasi që ata nuk kanë autoritet për përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike dhe sipas tyre kjo kompetencë i takon ZRRE-së.
Kështu thuhet në deklaratën për media që ka lëshuar KEDS-i.
Në komunikatë thuhet se kjo kompani iu nënshtrohet ligjeve të Republikës së Kosovës dhe se ka për detyrim të zbatojë politikat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike
“Nga KEDS kurrë nuk është deklaruar se do të ketë ndonjë rritje të çmimit, pasi që as lirimi as ngritja nuk vendoset nga KEDS, prandaj protesta e shpallur është në adresë të gabuar.
KEDS është vetëm një nga akterët e zinxhirit të energjisë në Kosovë, me detyrimin dhe përgjegjësinë e qartë për shpërndarjen dhe furnizimin me energji elektrike”, thuhet në komunikatë.
Protestë e aksion simbolik
Grupi i Qytetarëve te Pavarur që po e organizojnë protestën kundër rritjes së çmimit për energjinë elektrike do të organizojnë të martën (sot) një aksion simbolik para zyrave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Kurse, një grup qytetarësh po i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të mërkurën t’i bashkohen në një protestë të kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Ata ftesën po e bëjnë nëpërmjet Facebookut, ku kanë shpjeguar se kjo protestë thirret nga një grup qytetarësh pa prapavijë partiake.
“Disa nga qytetarët e grupit organizativ ishin të përfshirë në protestat e vitit 2013 kundër skandalit të fryrjes së faturave nga KEK-u dhe disa të përfshirë në protestat me hashtag #protestoj. Protesta ka për qëllim parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike të paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në profilin e organizatorëve./GazetaFjala/
Shenjat e horoskopit që e shijojnë beqarinë
Çfarë ndodh kur nuk pini ujë?
Çfarë ndodh kur ka mungesë të vitaminës D3?
Akrepi – Horoskopi vjetor për 2025: Janari sjell para, shtat...
Parashikimi i motit për vikend, kryesisht i vranët dhe inter...
Këto ishin momentet më pikante nga darka e të nominuarve