Arsyet e refuzimit të 9 mijë zarfeve dhe rinumrimit të 494 vendvotimeve

14:05 | 22 Shkurt 2021
arbresh.info

Shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat janë pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës.

Deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit.

Pas vlerësimit janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzur 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime.

“Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide” deklaroi Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Elezi shpjegoi edhe arsyet e rinumërimit të 494 vendvotimeve.

“Bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime)”, deklaroi Elezi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme