Google ADS

Arsimimi dhe mungesa e kushteve në shkolla, sfidë për fëmijët me nevoja të veçanta

12:11 | 15 Prill 2023
A. B.

Mungesa e kushteve në shkolla vazhdon të jetë sfidë për fëmijët me nevoja të veçanta në shkollimin e tyre.

Po ashtu ndër sfidat më të mëdha të mësimdhënësve në shkolla është plotësimi i kërkesave për nxënësit me nevoja specifike.

Zëvendësdrejtori i shkollës fillore mesme të ulët “Dardania”, Nehar Shasivari në Prishtinë, thotë se në këtë shkollë janë 38 nxënës me nevoja të veçanta, ai thotë se kushtet janë të limituara për shkak se nuk ka hapësira të mjaftueshme për këta fëmijë.

Shasivari thotë se fëmijët me nevoja të veçanta në këtë shkollë kanë komoditet të mirë brenda klasës.

“Nxënësit në shkollën tonë janë të përfshirë edhe një numër i madh që janë me nevoja të veçanta, duke marr parasysh situatën në të cilën jemi ju krijohet hapësirë pa marrë parasysh gjendjen e tyre në të cilën janë. Nxënësit kanë komoditet të mirë brenda klasës pasi që i kanë pranuar ashtu siç janë. Janë 38 nxënës me nevoja të veçanta prej klasës së parë deri në klasën e nëntë të gjithë janë të pajtimit për të punuar edhe me planin individual të cilët mësimdhënësit e kryejnë atë obligim që e kanë tek fëmijët. Kushtet janë të limituar sepse numri i madh i nxënësve dhe nuk kemi hapësirë të mjaftueshme. Ato synim që janë synuar këta nxënës janë duke i arritur, këto kushte në bashkëpunim me mësuesen mbështetës kanë arritur rezultate”, tha Shasivari.

Kurse shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemaili”, në Prishtinë numëron rreth 60 nxënës me nevoja të veçanta, drejtoresha e kësaj shkolle, Mimoza Krasniqi potencoi se plotësohen të gjitha nevojat që këta fëmijë të integrohen në format e zakonshme arsimore.

Tutje Krasniqi u bëri thirrje të gjithë prindërve që të mos hezitojnë, por ti sjellin fëmijët në shkolla si gjithë të tjerët.

“Ka një numër të madh të nxënësve me nevoja të veçanta, mbi 60 nxënës i ka dy pedagoge speciale dhe një mësuese mbështetëse, të cilat e kryejnë në punë shumë të mirë në lidhje me fëmijët me nevoja të veçanta. Falë punës së mësuesve shumë fëmijë dhe shumë prind janë të kënaqur me ta, por për këta fëmijë duhet të punohet edhe më shumë, por tani janë këto janë mundësitë e shkollës. Shkolla të i plotëson të gjitha kushtet sepse i ka mësueset mbështetëse, pedagoget speciale, mësimdhënësit, jeni shkollë gjithë përfshirëse dhe normale që i pranojmë. Prindërit të mos hezitojnë ti sjellin në shkollë se bëhet një punë e mrekullueshme”, tha Krasniqi.

Ndërsa mësuesja mbështetëse Hatixhe Zogaj-Geci, tha se numri i fëmijëve me nevoja të veçanta është i madh, por ajo është e pakënaqur me kushtet që ofron shteti për ta.

“Kemi një numër bukur të madh të fëmijëve me nevoja të veçanta të cilët janë të integruar nëpër klasa të rregullta, edhe mundohemi me i mbështet qoftë me punë direkte apo me këshilla. Secili njeri në këtë botë është unik në mënyrën e vet, kushtet ambienti, qasja ndaj tyre qëndrimet tona janë ato që bëjnë dikë të veçantë ose jo të veçantë. Në kushtet që jemi ne nuk jemi të kënaqur por jemi në rrugën e drejtë. Të gjithë nxënësit të marrin shkollimin e duhur të kenë qasje në orë dhe në klasë mësimore. Kjo dhomë burime ofron shërbime edhe mësim për të gjithë nxënësit me nevoja të veçanta që janë nëpër klasë të rregullta bëhet mësim individual, grupor varësisht prej nevojave që ne i shohim”, tha Zogaj-Geci.

Madje ajo shtoi se për të nuk janë primare diagnozat por mundësitë dhe aftësitë që mund të bëjnë tutje fëmijët për të ngritur potencialin e tyre.

“Në shkollën tonë kemi prej vështirësive të ndryshme qoftë prej vështirësive fizike, intelektuale, doën sindormë, autizëm, por për neve nuk janë primare diagnozat, për neve janë primare mundësitë dhe aftësitë e fëmijëve aty ku janë dhe çka mund të bëjmë tutje për ti ngritur potencialin ata në maksimum. Kemi edhe fëmijë që janë përdorues të karrocës, mirëpo shkolla ofron kushte optimale për përdorues të karrocës, edhe në hyjmë kemi pjerrinat dhe banjot e veçanta. Klasa është në katin përdhese ku nuk duhet përdorimi i shkallëve, mundohemi që klasa që të jetë klasa sa më e madhe që ti mundësohet lëvizja me karrocë për të qenë e përshtatshëm për të gjithë nxënësit”, përfundoi ajo.

Drejtoresha e qendrës burimore “Përparimi”, Igballe Potera, për arbresh.info ka treguar se ky institucion ofron mësim dhe këshillim për fëmijët me dëmtime më të rënda.

Madje ajo ka thënë se kjo qendër përfshin 17 komuna përreth kryeqytetit, po ashtu Potera shtoi se kjo qendër ka dhe ekipin e terrenit që japin shërbime edhe në shkollat e rregullta.

“Përveç punës të cilët e bëjmë kemi dhe mësimdhënësit e terrenit që ofrojnë shërbime në shkollat e rregullta 17 komuna që janë zonat e mbulimit. Mësimi këtu zhvillohet në dy fusha sipas kutikulave të Kosovës, ku secili nxënës ka plane individual ku ka edhe ekipin vlerësues secili nxënës që vjen në qendrën tonë është i vlerësuar në ekipin komunal, pastaj dy deri në tre muaj bëhet vlerësimi i brendshëm. Në bazë të fushave të aktivitetit në këtë fushë punohet me dëmtime më të rënda që kanë probleme dhe është fusha e komunikimit, njohëse, fizike dh sociale që të përgatitet sa më shumë për jetën e tyre të përditshme”, tha drejtoresha.

Kushtet për zhvillimin e këtyre fëmijëve nuk mungojnë, drejtoresha ka thënë se nxënësit në këtë institucion transportin dhe shujtën ditore e kanë falas, po ashtu  nuk mungojnë as aktivitetet e përshtatura në bazë të aftësive fizike të fëmijëve.

“Shkolla organizon transportin shkollë shtëpi në të cilën nxënësit e marrin falas dhe një shujtë ditore dhe i ndihmon shumë si nxënësit dhe mësimdhënësit. Çdo gjë arrihet përmes aktiviteteve se është e pa mundur që të bëhet mësimdhënia në formë tjera. Kemi hapësira të mjaftueshme dhe të përshtatshme për këtë kategori të fëmijëve në mënyrë që të ngrisim më shumë koncentrimin dhe interesimin e tij, në mënyrë që të largojmë sjelljet e tij të cilat janë të pa përshtatshme në shoqëri. Nxënësit gjatë kësaj kohë ndihen të relaksuar dhe janë shumë të kënaqur kur kthehen nga aktivitet, sepse çdo aktivitet është i përshtatur në bazë të aftësive fizike të fëmijëve”, tha ajo.

Sipas MAShTI-t, asistentët personalë duhet të kenë vetëm nxënësit me aftësi të kufizuar të rënda dhe të shumëfisha, të cilët nuk mund të qëndrojnë në klasë pa përkrahje të asistentit.

Ndryshe në Kosovë jetojnë rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuar apo 10 për qind e popullatës së përgjithshme./Arbresh.info/Diellza Gashi.


Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme