Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Arsim Bajrami e ka kritikuar njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për një aktakuzë të pa konfirmuar, ndaj liderëve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bajrami përmes një postimi në facebook ka shkruar se ky veprim është i kundërligjshëm, shkruan arbresh.info.
Ai ka shtuar gjithashtu se kjo është bazë e mjaftueshme që ndaj këtij prokurori të iniciohet procedurë disiplinore për shkeljen flagrante të Kodit të Etikës.
Më poshtë mund të gjeni të plotë postimin e Bajramit.
“I papranueshëm dhe i kundërligjshëm veprimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për të publikuar njoftimin për një aktakuzë të pa konfirmuar, ndaj liderëve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Amandamenti 24 i Kushtetutës, në paragrafin 2 të tij, obligon Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të garantojnë të drejtat themelore që përmban Kapitulli II i Kushtetutës, përfshirë veçanërisht garantimin e të drejtës në prezumimin e pafajësisë, derisa nuk provohet e kundërta në pajtim me ligjin.
Në rastin konkret, Zyra e Prokurorit të Specializuar, jo vetëm se ka cenuar këtë të drejtë kushtetuese, por edhe ka shkelur edhe rregullat e procedurës të miratuara nga vetë ky institucion, me faktin e publikimit të njoftimit për ekzistimin e një aktakuze, deri më tani fiktive, përderisa nuk është konfirmuar bazueshëria e saj nga Dhomat e Specializuara, në periudhën prej gjashtë muajsh nga dorëzimi i saj.
Në rregullat e procedurës, është fare e qartë se një aktakuzë e pakonfirmuar nuk mund të bëhet publike, dhe për më tepër, njoftimi i publikimit për ekzistimin e saj, është bazë e mjaftushme që ndaj këtij prokurori të iniciohet procedurë disiplinore për shkeljen flagrante të Kodit të Etikës, akt ky i miratuar po ashtu nga këto institucione gjyqësore.
Përndryshe, lufta e UÇK-së, është aq e drejtë, saqë lavdia e saj, nuk mund të denigrohet asnjëherë, edhe kur padrejësisht bashkësia ndërkombëtare provon të imponoj një kompromis shqiptaro-serb, për qëllime të të cilit, tani qartësisht po e përfshinë në lojë institucionin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Inkriminimi potencial i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, në një proces gjyqësor të porositur, është tendencë e hapur për ta rishkruar historinë, e për ta baraspeshuar gjenocidin serb me vuajtjet dhe sakrificat e popullit shqiptar dhe luftën e drejtë të tij për liri dhe pavarësi.
Një komunikatë e tillë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është politike dhe e pa shembullt, dhe si e tillë, duhet denoncuar e kundërshtuar me mjete politike dhe juridike, dhe të kërkohet llogari për pasojat e pariparueshme që është duke i’a shkaktuar Kosovës, në rrafshin ndërkombëtar.
Kredibiliteti i Dhomave të Specializuara, mund të riparohet vetëm kur të hedhin poshtë një akt akuzues si ky i fundit, i motivuar politikisht, e selektiv si dhe për shkak të shkeljes esenciale të rregullave procedurale nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, ka shkruar ai./arbresh.info/
Sikorski: Shqipëria lider në procesin e anëtarësimit
Njohja e pasaportave nga Armenia, Kurti thotë se ky dokument...
Infantino: Kosova jorastësisht në Top 100 të Ranglistës së F...
Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar
Aksident mes dy veturave në Sllatinë, s’ka të lënduar
Rivarrosen tri viktima të luftës që ishin në listën e person...