Google ADS

Arrin grupi i dytë i afganëve në Kosovë

11:24 | 31 Gusht 2021
S D

Në Kosovë ka arritur grupi i dytë i shtetasve afganë të cilët janë evakuuar nga Kabuli gjatë ditëve të kaluara, merr vesh Radio Evropa e Lirë.

Siç bëhet e ditur edhe ky grup është i përbërë nga afganët që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan.

Ende nuk dihet se sa është numri i grupit të dytë të afganëve që strehohen në Kosovë, derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara.

Në Kosovë tashmë janë strehuar 111 qytetarët e parë afganë, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin. Prej tyre, 55 janë gra dhe fëmijë, kurse të tjerët janë burra. Ata arritën në Prishtinë më 29 gusht.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, pati deklaruar se rreth 2.000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë.

Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka kapacitete teknike për strehimin e tyre.

Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.

Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.

Qindra afganë janë strehuar edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.

Vendi tashmë është nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.

“Strehimi i qytetarëve afganë nga Kosova është një vendim i drejtë, jo vetëm nga aspekti moral dhe humanitar që Kosova po e zgjatë dorën e ndihmës për njerëzit në nevojë në kohë të krizave, por gjithashtu rikonfirmohet pozicionimi strategjik i Kosovës karshi aleatëve të NATO-s”, thotë Balaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme