Google ADS

Arrihet marrëveshja, punëtorët e gjyqësorit e pezullojnë grevën

15:24 | 11 Korrik 2018
Arbresh.info

Pas gjashtë ditësh grevë, punëtorët administrativë të gjykatave dhe prokurorive në nivel të vendit, nga nesër do t’i kthehen punës normale.Kjo pasi që është arritur marrëveshja për pezullimin e grevës, e cila kishte nisur që nga 4 korriku.

Një marrëveshje e tillë është arritur të mërkurën, pas një takimi që përfaqësuesit e këshillit grevist kanë pasur me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial, kryetarët e Gjykatave Themelore si dhe kryeprokurorët e Prokurorive Themelore, ku ka marr pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Arritjen e marrëveshjes e ka bërë të ditur pas takimit, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Judikaturës, Asllan Rusinovci.

“Kemi arrit një marrëveshje që të gjitha kërkesat tona të realizohen. Këto kërkesa kemi marrë premtim se do të realizohen brenda muajit. Kjo është pezullim i grevës dhe jo ndërprerje, derisa të realizohen kërkesat tona. Nëse nuk realizohen shumë shpejt kërkesat tona, greva do të rifillojë”, ka thënë Rusinovci.

Fillimisht, një takim me përfaqësuesit e këshillit grevist ishte mbajtur me anëtarët e Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, në të cilin pavarësisht që kishin qenë të ftuar kanë munguar me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe kryesuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe Këshillit Prokurorial.Në atë takim, kryetarja e këtij komisioni, deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka mbështetur kërkesat e grevistëve.

Derisa, deputeti nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa dhe ai i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, kërkuan nga sindikalistët ta ndërpresin grevën dhe t’i kthehen punës, duke thënë se për kërkesat e tyre do të gjendet një zgjidhje.Një takim për të gjetur një zgjidhje ishte mbajtur edhe gjatë së martës ndërmjet ministrit Tahiri dhe kryesuesit të KGJK-së, Nehat Idrizi me përfaqësues të këshillit grevist.

Punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive në vend, që nga 4 korriku kanë hyrë në grevë të përgjithshme, duke kërkuar realizimin e tri kërkesave, e ato ishin rritja e pagave për 100%, që me Ligjin për Pagat të ketë vlerësime reale dhe të dinjitetshme për punëtorët e gjykatave dhe prokurorive dhe kërkesa e fundit ka qenë rregullimi i statusit së këtyre punëtorëve.

Që nga 4 korriku kur edhe kishin hyrë në grevë, qindra seanca gjyqësore kishin dështuar të mbaheshin si pasojë e këtij veprimi sindikal.Vetëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për çdo ditë kanë dështuar të mbahen mbi 100 seanca gjyqësore, përfshirë edhe ato të korrupsionit.Kurse, dhjetëra seanca për çdo ditë, si pasojë e grevës ishin pamundësuar edhe në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës.

Nga greva ishin përjashtuar vetëm rastet e paraburgimeve, të dhunës në familje si dhe rastet të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme