Arrestohet dhe suspendohet polici që vrau një person mëngjesin e sotëm në Gjilan

10:13 | 29 Dhjetor 2019
L G

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar policin e dyshuar për vrasjen e një personi në Gjilan mëngjesin e sotëm.

Lajmin e ka bërë të ditur për media, IPK.

“Sot rreth orës 05:00 të mëngjesit  Policia e Kosovës ka pranuar  një informacion së në rrugën “Nato 99”,  në Gjilan ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë e këtij incidenti një person ka vdekur. Pasi që dyshimet ishin se në këtë incident i dyshuar ishte një pjesëtar i Policisë së Kosovës, menjëherë përmes “Linjës së kaltër” janë njoftuar hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes”, bëhet e ditur në njoftimin e IPK-së, raporton arbresh.info.

Po ashtu Inspektoriati, njofton se bazuar në hetimet preliminare dyshohet se personi i dyshuar  V. H. pjesëtar i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, ka shtënë me armë  zjarri në drejtim të viktimës L.S .

Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve  janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty.

“Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Personi i dyshuar në këtë rast – zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është suspenduar nga detyra”, thunet në njoftim.

IPK, konstaton se veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e saj në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës./arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme