Arrestohen dy persona të dyshuar për dhjetëra raste të grabitjeve të armatosura

09:59 | 15 Nëntor 2017
Arbresh.info

Njësitet policore të rajonit të Prishtinës në kuadër të intensifikimit të masave të marra në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, kanë organizuar punën e tyre me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale.

Hetuesit e rajonit të Prishtinës i kanë dhënë përparësi luftës kundër kriminalitetit dhe veçanërisht disa shqetësimeve që kohët e fundit ka pasur komuniteti në lidhje me rastet e grabitjeve të ndodhura, (në markete, pompa derivatesh, institucione mikrofinanciare, motele, posta, etj.) në zona të ndryshme të rajonit të Prishtinës.

Hetuesit rajonal në bashkëpunim me hetuesit e stacioneve policore të rajonit të Prishtinës, janë në vazhdimësi të operacioneve për kapjen e të dyshuarve për rastet e grabitjeve.

Një nga këto operacione të organizuara mirë, në drejtim të kapjes së personave, për të cilët dyshohej me bazë të jenë të përfshirë në disa raste të grabitjeve ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar.

Personat e dyshuar: E.Dragusha, mashkull, 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe A. Leci, mashkull, 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

Gjithashtu lidhur me rastet e njëjta hetuesit kanë arrit të identifikojnë edhe një person tjetër të dyshuar që aktualisht ndodhet në arrati.

Pjesë e operacionit ka qenë edhe bastisja e shtëpive të të dyshuarve, ku policia ka arrit të gjej dhe konfiskoj : një veturë Golf IV ngjyre e kaltër me targa vendore,(dyshohet të jetë përdorur në rastet në fjalë); një armë të gjate AK47 se bashku me karikator dhe 10 fishekë; një qese e vogël me substancë narkotike (mariuhanë); dy kartëmonedha të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara; një telefon celular Samsung dhe një Ipad si dhe disa dëshmi të tjera që mund të lidhen me rastet.

Me urdhër të prokurorit pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastet në fjalë para se rastet t’i kalojnë gjykatës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme