Arrestohen dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje

17:17 | 17 Gusht 2019
Arbresh Info

Dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Halim Tahiri dhe Aleksandër Stankoviç, janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës, në Komunën e Shterpcës. Lajmin e ka konfirmuar deputeti i kësaj partie, Xhelal Sveçla.

Ai ka hedhur akuza ndaj Policisë së Kosovës për arrestimin e dy aktivistëve. Ka thënë se policia është bërë vegël e klanëve të interesave personale.

https://www.facebook.com/xhelal.svecla/posts/10221680374298081

Shkrimi i plotë i Xhelal Sveçlës:

Prapë Policia e Kosovës bëhet vegël e klaneve të interesit dhe kundër të drejtave të qytetarëve.

Dje në fshatin Biti e Poshtme, në Komunën e Shtërpcës, policia ka bastisur shtëpitë e aktivistëve të angazhuar në mbrojtjen e lumit Lepenc. Me këtë rast dy nga ta, Halim Tahirin dhe Aleksandër Stankovic, pa kurrfarë spjegimi i kanë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Si edhe më herët është njoftuar opinioni publik, banorët e këtij fshati janë bërë bashkë dhe kanë kundërshtuar planet për futjen e lumit të tyre në gypa gjigantë me ç’rast lumi Lepenc do të varrosej për kilometra të tërë. Duke qenë se ky lum për ta është jo vetëm ujë për ujitje, freskim e peshkim por vetë jeta. Ata u bënë bashkë pavarësisht përkatësisë etnike dhe me protesta kundërshtuan realizimin e kësaj katastrofe ambientale.

Me minihidrocentrale si ky, ku vetëm në pellgun e lumit Lepenc planifikohen 11 të tillë, ky rajon dëmtohet shumë e prej këtij dëmtimi përfitojnë pak individë, të afërt apo pjesë e pushtetit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! në vazhdimësi ka argumentuar dëmet dhe shkeljet ligjore nga institucionet dhe punëkryesit, dëme të cilat nëse nuk ndalen tash do të jenë të pakthyeshme.

Ne inkurajojmë banorët e asaj zone, shoqërinë civile por edhe çdo individ të mos dorëzohen para çfarëdo presioni, nga kushdo, në mbrojtjen e të drejtave të tyre, siç është e drejta për jetë të shëndetshme.

Në të njejtën kohë ne në vazhdimësi do të përkrahim secilin që mbron jo vetëm të tashmen por edhe të ardhmen e vendit tonë dhe resurset e saj.

Apeloj te të gjithë zyrtarët shtetërorë që mos të bëhen vegël e interesave joligjorë të klaneve të interesave, duke ditur se kur shkeljet ligjore po adresohen në institucione atëherë të njëjtit po distancohen për të shpëtuar veten.

Ndodhemi para ndryshimeve të mëdha, ndryshime që do të adresojnë të gjitha këto problematika.

Të ngjashme