Të mërkurën Policia e Kosovës arrestoi Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.
Se a duhet shteti që t’i përcjell personat që kanë punuar nëpër institucione në kohën e Serbisë, flet për Arbresh.info, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL e UÇK-së, Faton Klinaku.
Ai thotë se shteti ynë vazhdimisht duhet t’i përcjellë sa më shumë njerëzit që punojnë për ta dëmtuar shtetin e Kosovës, sepse spiunojnë ose bashkëpunojnë me shërbime ose me pushtuesin serb.
Duke shtuar se është mirë që janë arrestuar, para se ata të bënin ndonjë dëm qoftë ndaj shtetit ose ndaj qytetarëve të Kosovës, Klinaku pohon se lufta e Serbisë është që t’i ulë vlerat e luftës së UÇK-së.
“Mirë që janë arrestu para se ata të bënin ndonjë dëm, qoftë ndaj shtetit ose ndaj qytetarëve të Kosovës. Pasi siç e lexuam ne ata kanë tentuar që të punojnë ose të bëjnë falsifikime rreth luftës së UÇK-së dhe masakrave në Reçak dhe më këtë Serbia natyrisht që lufta e saj është që t’i akuzojë pa fakte njerëzit e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), qofshin ata që e i kemi në Hagë por dhe të tjerë që do të mund të akuzoheshin”, thotë Klinaku.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, sipas tij, vazhdimisht komunikon me këta njerëz, për ta inskenuar ndonjë rast dhe ta akuzojnë UÇK-së.
“Ne e kemi thënë që Zyra e Prokurorit të Specializuar që vazhdimisht komunikon me kësi njerëz dhe komunikon të shërbimeve qoftë serbe qoftë ruse për ta inskenu ndonjë rast dhe për ta akuzu pastaj UÇK-në që e ka bë”, thekson Klinaku.
Sipas tij, njerëzit që kanë punuar në sisteme serbe nuk do të duhej që të merrnin poste në shtete apo në ndonjë organizatë.
“Nuk po them unë që ata të mos punojnë, sepse luftën e kemi bërë të jenë të lirë qytetarët e Kosovës dhe të punojnë po ashtu gjithsecili dhe fëmijët e tyre por nuk do të duhej të ju jepej poste në ndonjë vend pasi duke e pas parasysh që kanë punuar me ish- sistemin natyrisht që ata mund të punojnë përsëri”, shprehet ai.
Por, edhe në rast se e kanë marrë ndonjë post, ai shprehet se shteti duhet t’i përcjell se a janë duke bashkëpunuar, apo e kanë shkëput bashkëpunimin me pushtuesin serb.
Nga ana tjetër, eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala thotë se institucionet tona kanë ndërmarr veprime konkrete qe nga themelimi i saj duke ju pamundësuar personave qe nuk e kanë kalu verifikimin e sigurisë në informacione të klasifikuara të kenë qasje.
Sipas tij ky ishte një hap tejet të rëndësishëm në mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë nacionale të vendit.
“Në anën tjetër AKI ka informacione relevante për çdo person që ka shërbyer në kuadër të ish- sistemit të sigurisë së Serbisë para viteve 90-ta dhe të gjitha ata kanë kaluar nëpër një filtër duke klasifikuar dhe selektuar rreziqet dhe kërcënimet që mund t’i paraqiten Kosovës”, thotë Shala.
Ai thekson se veprimi i institucioneve të Kosovës në këtë kohë po e dëshmon që janë në krye të mandatit që kanë duke garantuar që strukturat e shërbimeve ruse/serbe të mos kenë fare hapësirë të vepruarit duke i neutralizuar ata në mënyrën e vepruarit dhe për këtë BIA tani është duke përjetuar rënd suksesin e institucioneve tona.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se janë arrestuar dy persona të dyshuar për spiunazh.
Në një njoftim për media, Prokuroria tha se dy shtetasit kosovarë u arrestuan të mërkurën pas një hetimi disamujor dhe se i ngarkon ata me veprën penale “spiunazh”.
“Sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘spiunazhi’, nga neni 124 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Ata janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit. Prokuroria tha se ndaj tyre do t’i ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”.
BIA mohon lidhjen me dy personat e arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për spiunazh
Mediat serbe kanë raportuar se Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) ka mohuar lidhjet me dy personat e arrestuar sot në Ferizaj të dyshuar për spiunazh.
Sipas raportimit të RTS-së, Agjencia për Siguri dhe Informim mohon me vendosmëri “të gjitha përpjekjet për përhapjen e lajmeve të rreme nga institucionet e Kosovës” se dy personat me iniciale B.SH. dhe M.Q, të cilët u arrestuan sot në Ferizaj nën dyshimin për spiunazh kanë çfarëdo marrëdhënie bashkëpunimi me Agjencinë.
Njëri nga të dyshuarit ka qenë punëtor i Doganës së Kosovës.
Në një deklaratë për media, Dogana e Kosovës ka sqaruar se njëri nga të arrestuarit, i identifikuar me inicialet B.Sh., kishte qenë i punësuar në këtë institucion, por ishte pushuar nga puna 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.
Sipas Doganës, shkarkimi i B.Sh. kishte ardhur si rezultat i shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës, të cilat kishin të bënin me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.
Që nga ajo kohë, B.Sh. thuhet se nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës.
Kujt i raportonin të dyshuarit për spiunazh?
Të ndaluarit i kanë raportuar një oficeri të shërbimit sekret serb me emrin Sërgjan Rosiq.
Kush është Srdjan Rosiq?
Srdan Rosiq gjatë viteve ’90-ta ka jetuar në Ferizaj derisa ishte i angazhuar si oficer në shërbimin sekret serb. Emri i tij është përmendur edhe në rastin e gjykimit ndaj kryekriminelit serb Slobodan Millosheviq në Tribunalin Ndërkombëtar të krimeve të luftës në Hagë.
Në transkriptin e njërës prej seancave gjyqësore të datës 22 shtator 2005, një dëshmitar i cili ishte polic i SUP-it serb (Sekretariati i Punëve të Brendshme), pyetet nëse e njeh Srdjan Rosiqin. Ai përgjigjet se Sërgjan Rosiq në atë kohë ( sq. vitet e ’80-ta dhe ’90-ta) ishte punonjës operativ në Shërbimin shtetëror të sigurisë për rajonin e Ferizaj./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...