Arrestimi i Thaçit, Rama kujton votën pro hetimeve në Kosovë

00:36 | 8 Nëntor 2020
Trina Galanxhi

Në kulmin e diskutimeve për thirrjen e krerëve të UÇK-së në Hage, kryeministri Edi Rama ka risjellë në vëmendje votën e Shqipërisë për raportin e Dick Marty mbi UÇK-në.

Përmes një postimi në Twitter, Rama pyet ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Ilir Meta se pse kanë votuar pro ndaj këtij raporti që inkriminonte UÇK-në.

Sali pse e votove pro Raportin e Dick Marty në Këshillin e Evropës, kur ne e votuam kundër apo doje të mbroje Kosovën nga Hashimi? Po ti Ilir pse e votove pro Raportin e Dick Marty apo s’të pyeti Haxhinasto? Lulëzim ke gjë për të thënë apo s’ta lejon sekreti hetimor?” , shkruan Rama.

Pas këtij postimi, ka reaguar edhe kryeministri Berisha. Sipas tij rezoluta në Këshillin e Evropës kërkonte hetim dhe hetimi është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe kundërshtimi do të thoshte marrja përsipër e fajësisë.

Sipas Berishës, pikërisht për hetimin Kosova ka ngritur Gjykatën e Hagës në koordinim me Bashkimin Evropian. Përveç kësaj, Berisha tha se ka një marrëveshje në parlament për të lehtësuar çdo hetim në lidhje me këtë çështje.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi me 191 vota pro dhe me 8 kundër rezolutën për hetime në bazë të raportit të paraqitur nga Dick Marty. Shumica e amendamenteve të paraqitura nga delegacioni i Shqipërisë, u hodhën poshtë./tvklan/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme