Arrestimet në MINT, Kurti: Unë kam besim në Rozeta Hajdarin- qeverisja jonë është e ndërgjegjshme

20:53 | 18 Gusht 2023
K.B

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në ministrinë e Tregtisë.

Kurti tha se qeveria e tij është e përgjegjshme dhe e drejtë, dhe se rezervat shtetërore i kanë gjetur me 300 mijë euro dhe i kanë bërë 25 milionë euro për dy vite.

“Qeveria jonë është e përgjegjshme dhe e drejtë. Kemi sjellë progres ekonomik dhe demokratik të paparë në Kosovën e pasluftës. Rezervat shtetërore i kemi gjetur 300 mijë euro e i kemi bërë 25 milionë euro për dy vite. 97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore”, ka shkruar Kurti.

Kurti u shpreh se ka besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, u shpreh tutje Kurti.

Tutje kryeministri në shkrimin e tij shkruan se qeverisja e tij është me ndërgjegje të pastër.

“Qeverisja jonë me ndërgjegje të pastër dhe punë të mira natyrisht se përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20 vjeçare tё Kosovës. Si e tillë ajo domosdo prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj”, thekson ai.

Për qeveritë e kaluara Kurti thotë se edhe pse të paktë në numër përfitimet e tyre kanë qenë shumëmilionëshe, dhe nuk kanë si të mos ndihen humbës të mëdhenj.

“Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar. Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj”, vazhdon shkrimin Kurti.

Sipas kryeministrit në rastin më të mirë ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare.

“Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar.

Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare. Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe”, tha ai.

Kurti thotë se shpifjet dhe aksionet e tyre do të dëgjohën gjithnjë e më rrallë.

“Do tё dёshtojnё edhe nё frikёsimin e secilit qё i bashkohet karvanit tё reformave progresiste dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.
Piskamat, shpifjet dhe aksionet pompoze tё tyre do dëgjohen gjithnjё e mё rrallё.
Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit.Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t’i fshehin edhe shumё gjatё”, ka përfunduar kryeministri./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme