Google ADS

Arrestimet e fundit të ZPS-së, Berisha: Po vërtetohen informacionet se zyrtarë të lartë po lobojnë kundër ish-krerëve të UÇK-së

14:19 | 5 Dhjetor 2024
E.H

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha ka reaguar pas arrestimit të Isni Kilajt, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut nga Gjykata speciale.

Me anë të një postimi në Facebook, Berisha u shpreh se ky institucion është duke u keqpërdorur për objektiva të ulëta politike teksa akuzoi qeverinë aktuale se po lobon në Hagë kundër figurave kryesore të UÇK-së, përcjell Arbresh.info.

LEXO EDHE:

Zyra e Prokurorit të Specializuar deklarohet për arrestimet e sotme

“Është alarmante që një qeveri e zgjedhur nga qytetarët e Kosovës të angazhohet në veprime që dëmtojnë kauzën kombëtare dhe përpiqen të shfrytëzojnë procese të ndjeshme ligjore për përfitime elektorale”, ka shkruar Berisha.

Postimi i tij i plotë:

“Politizimi i Drejtësisë është Sulm ndaj Stabilitetit dhe Demokracisë në Kosovë”

Sa u përket arrestimeve të fundit nga Gjykata Speciale, është e qartë se ky institucion, i themeluar për të adresuar drejtësinë dhe për të kontribuar në pajtimin e Kosovës me të kaluarën e saj, është duke u keqpërdorur për qëllime politike dhe elektorale.

Këto veprime nuk janë vetëm një shkelje e parimeve të drejtësisë, por edhe një sulm ndaj stabilitetit politik dhe përfaqësimit demokratik të qytetarëve të Kosovës. Informacionet e publikuara së fundmi, përfshirë raportet e gazetarit Blendi Fevziu, sipas të cilave zyrtarë të lartë të qeverisë kanë lobuar kundër figurave kyçe të UÇK-së në Hagë, vetëm sa i konfirmojnë këto shqetësime.

Kjo qasje kujton metodat e mëparshme të një nomenklature që ka shfrytëzuar çdo mekanizëm, përfshirë edhe proceset e ndjeshme juridike, për të arritur pushtetin. Për më tepër, dyshimet mbi integritetin e Gjykatës Speciale, nga raportet e Dick Marty-t, te aktet korruptive dhe burimet jo kredibile si ato serbe dhe ruse, tregojnë një mungesë serioze besueshmërie në këtë proces.

Është shqetësuese që qeveria aktuale, në vend që të mbështesë drejtësinë e pavarur, angazhohet në veprime që dobësojnë përfaqësimin politik të opozitës, në veçanti të PDK-së, një force politike që vazhdon të gëzojë mbështetje masive qytetare, siç tregojnë sondazhet e fundit.

PDK nuk do të qëndrojë pasive përballë kësaj situate. Ne bëjmë thirrje për transparencë, llogaridhënie dhe respektim të standardeve të drejtësisë ndërkombëtare. Populli i Kosovës meriton një drejtësi të ndershme dhe një qeveri që punon për interesat kombëtare dhe demokratike, jo për agjenda personale apo partiake./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Specialja arreston edhe ish-kreun e AKI-së, Bashkim Smakajn

Gjykata Speciale arreston ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme