Arratisje si nëpër filma e kosovarit nga një burg i Zvicrës

19:30 | 7 Shtator 2017
Arbresh.info

Një “arratisje e denjë për filma“. Kështu e cilësojnë mediat zvicerane ikjen nga burgu i Friburgut të shqiptarit 35 vjeçar nga Kosova, Bashkim L. Ai ishte i dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e një shqiptari, të kryer në vitin 2013.

Pak ditë pas arratisjes, mediat e këtushme njoftojnë për mënyrën se si ai ia ka dalë ta bëjë këtë ikje spektakolare. Është lidhur me disa çarçafë që i ka bërë bashkë njëri me tjetrin dhe kështu është lëshuar nga muri i burgut.

Para kësaj, Bashkim L. Ka dalë nga qelia e tij përmes një dritareje të sigurisë, me grila, dritare kjo që normalisht nuk mund të hapet. Kështu thotë sekretari gjeneral i drejtorisë së Kantonit të Friburgut për siguri dhe drejtësi, Didier Page.

Me gjithë faktin se xhirimi nga videokamera e vëzhgimit tregon vetëm një person, Page konsideron se i arratisuri duhet të ketë pasur ndonjë ndihmë nga jashtë. Kjo për faktin se për të tejkaluar masat e sigurisë së lartë që mbretërojnë në këtë burg, nevojiten vegla, mjete të forta. E ato, zakonisht nuk mund të gjenden në burg, ka shtuar ai.

Aktualisht janë duke u zhvilluar analizat e brendshme për të zbuluar pikat eventuale të dobëta në infrastrukturë ose në veprimet e sigurisë, si për shembull ato të personave që kanë punuar në ndërrimin e natës.

Bashkim L., i cili vazhdon të jetë i aratisur, konsiderohet si person i rrezikshëm. Kërkimi për të është duke vazhduar si në Zvicër ashtu dhe jashtë vendit. Tashmë është shpallur edhe një fletarrest ndërkombëtar për të. Policia konsideron se ai e ka lëshuar tashmë Zvicrën.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme