Përveç fletoreve dhe librave në çantat e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, u është shtuar edhe diçka jo e zakonshme për ta.
Kohëve të fundit janë raportuar raste të posedimit të armëve të ftohta dhe armë zjarri nga ana e nxënësve, gjë që ka shkaktuar ndonjëherë edhe probleme dhe lëndime në shkolla.
Zyrtarë nga Policia e Kosovës, në një prononcim për arbresh.info thonë se gjatë katër muajve të parë të këtij viti janë raportuar rreth 175 raste të dhunës dhe incidenteve në shkollë. Ndonëse nuk ka ndodhur asnjë vrasje, vrasje në tentativë kanë qenë rreth 19 raste.
E sa i përket posedimit të armëve të zjarrit ata thonë se janë raportuar vetëm dy raste, ndërsa 9 raste janë raportuar për posedim të armës së ftohtë.
“Sa i përket rasteve të raportuara, nga Policia e Kosovës, kanë qenë rreth 175 raste të raportuara në Policinë e Kosovës të dhunës në shkollë. Sa i përket posedimit të armëve të zjarrit nga ana e nxënësve, janë raportuar vetëm 2 raste, kurse 9 raste janë të raportuara për posedim të armës së ftohtë. E më të theksuara janë rastet me lëndime të leha trupore, ku numri i tyre shënon deri në 56 raste.” deklarojnë zyrtarët policorë.
Ata gjithashtu kanë thënë se janë në bashkëpunim aktiv edhe me menaxhmentin e shkollave për t’u njoftuar lidhur me zhvillimet dhe ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për reduktimin e rasteve të shfaqjes së dhunës në shkolla dhe rreth tyre dhe gjithashtu zhvillohen edhe takime të shpeshta në këtë kontekst.
Për parandalimin e kësaj dukurie, në vitin 2013, Qeveria e Kosovës ka miratuar një rregullore për protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në institucionet e arsimit parauniversitar.
Sociologu, Shaip Hasani, në një prononcim për arbresh.info, tha se përgatitjet kyçe për parandalimin e këtyre rasteve nisin nga familja dhe shkolla.
“Do të duhej familja me i bë parapërgditjet e duhura se si ta nisë fëmija shkollën, pastaj shkolla duhet t’i forcoj ato udhëzime administrative të cilat janë në fuqi që të kenë mundësi ta rrisin kontrollin. Familja dhe shkolla janë dy faktorët kyç, për me pas mundësi me e parandalu dhunën në shkollë apo edhe përdorimin e armëve të ftohta nga fëmijët brenda objektit shkollorë”, deklaroi Hasani
E sa për përgatitjen e shkollave në këto raste, Hasani thotë se janë te vetëdijshme por jo të përgatitura sa duhet.
“Në këto raste shkollat janë të vetëdijshme, por të përgatitura për rutinë jo, sikur i kanë harruar gjërat dhe ato janë përhap dhe pastaj problemet janë ekzistuese”, tha Hasani.
E sipas tij nëse Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Policia e Kosovës, do të ishin në nivel, parandalimi i këtyre rasteve do të ishte shumë më efikas.
“E sikur të ishte në nivel ministria edhe policia sigurisht që parandalimi kishte me qenë shumë më efikas” tha Hasani për arbresh.info
Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala thotë se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, nuk ka krijuar ndonjë plan për t’iu qasur këtij problemi.
E vendosja e Policisë dhe Sigurimeve private për ndalimin e këtyre veprimeve, nga ana e drejtorisë komunale të Arsimit, Shala e konsideron si të dështuar, pasi sipas tij asnjëra nuk ka arritur t’i ndalojnë këto veprime kriminale.
“DKA-të në nivel te shkollave te mesme në të kaluarën ka vendos police të cilët kanë tentuar të parandalojnë veprimet kriminale brenda dhe jashtë objektit shkollor por edhe ky veprim nuk është pa si zgjedhje e qëndrueshme dhe ka krijuar vakum në institucionin e Policisë e cila është deshtë t’i delegoj polic në ato objekte. Pas asaj janë zëvendësuar me sigurime private të cilët ne disa raste kanë qen të pafuqishëm në parandalimin e veprimeve kriminale qoftë të nxënësve apo në rastin e fundit të prindërve që sulmojnë mësimdhënësit” tha Shala
Sipas Shalës, institucionet e vendit duhet që të fillojnë një ligj të veçantë mbi masat ndëshkuese sikur për prindin ashtu edhe për nxënësin që shkakton veprimin kriminal brenda objektit shkollorë.
Para disa muajve një përleshje masive kishte ndodhur mes disa grupe të nxënësve në Ferizaj. Nxënësit ishin të Gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” dhe të Shkollës së Mjekësisë, “Elena Gjika”.
E njohur për raste të dhunës është edhe shkolla fillore “Iliria” në Prishtinë e cila ka regjistruar sivjet disa raste të dhunës.
E veç nxënëseve një incident jo fort i zakonshëm këtë vit u shënua brenda objektit të shkollës “7 marsi” ku një prind kishte sulmuar me thikë mësuesen, në prani të nxënësve.
Megjithatë fenomenet e dhunës dhe incidenteve në shkolla vazhdojnë të mbeten shqetësuese./E.Haxhiu/Arbresh.info/
Vrasja e Gjyljeta Ukellës, Edmond Lajçi dënohet me burgim të...
Vendoset gurthemeli i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjar...
Peci: Në 2024 janë ndarë 89 milionë euro grante e subvencion...
Murati dhe ATK prezantojnë performancën e vitit 2024 në konf...
Konfirmohet rasti i patë i Lisë së majmunëve në Kosovë
IKD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve-kryesisht me...