Nëse nuk formohen institucionet brenda këtij muaji, Qeveria e Kosovës nuk do të ketë para për t’i paguar veteranët e luftës, e as t’i kryejë shumë obligime financiare për projekte të ndryshme kapitale.
Mësohet se në mungesë të Kuvendit, Qeveria në largim, është bllokuar në shumë projekte, pasi nuk po arrin t’i bëjë ndryshimet e nevojshme buxhetore si dhe t’i tejkalojë disa ligje që kanë implikime buxhetore, shkruan Gazeta Fjala.
Bëhet fjalë për 38 milionë euro të AKP-së të cilat Qeveria nuk po mund t’i alokoj, pa u bërë ndryshimet e nevojshme të ligjit për AKP-në, sapo të konstituohet Kuvendi i ri.
Kjo situatë e ka vënë në situatë të palakmueshme vet ministrin e Financave, Avdullah Hoti. Ai për këtë çështje ka dhënë alarmin në mbledhjen e fundit të Qeverisë.
Në mbledhjen që u mbajt të premten, Hoti si masë urgjente për tejkalimin e këtij ngërçi financiar, ka propozuar ndryshimin e ligjit të AKP-së, i cili do t’i zhbllokonte këto 38 milionë euro.
Por para kësaj duhet pritur konstituimi i Kuvendit të ri.
“Për shkak të shtyrjes së rishikimit të buxhetit, ne duhet të marrim vendim për shkurtime dhe rialokime të fondeve, për shkak se një pjesë e të hyrave kanë qenë të lidhura me të hyrat që vijnë nga AKP-ja Propozimin e ndryshimit të Ligjit të AKP-së e kemi gati në Qeveri, por duke qenë se nuk ka Parlament, ne nuk mund ta procedojmë atë”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq, në mesin e projekteve kapitale që mund të rrezikohet është edhe autostrada Prishtinë-Hani i Elezit, por edhe projekte tjera.
Shkurtime emergjente në buxhetin e ministrive
Këto 38 milionë euro që pritet të vijnë nga AKP-ja, të gjitha janë të lidhura me projekte të caktuara kapitale.
Duke qenë se tani për tani ato janë bllokuar, ministri Hoti i ka propozuar Qeverisë që të bëjë shkurtime në projekte kapitale nëpër ministri, sidomos për ato projekte kapitale ndaj të cilave nuk kanë filluar procedurat.
Si projekt që mund të rrezikohet seriozisht, Hoti ka përmendur autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.
“Kemi obligime në veçanti te kontrata e autostradës dhe disa projekte të tjera”, ka thënë Hoti.
Rrezikohen edhe veteranët
Përveç projekteve kapitale kategoria më e rrezikuar janë veteranët e luftës.
Me 8 gusht përfundojnë ndarjet buxhetore që janë për veteranët dhe 6 milionë euro për zgjedhje lokale. Pas kësaj date nuk do të ketë para për veteranët, nëse eventualisht nuk formohen institucionet.
“Duke qenë se nuk mund të bëhet rishikimi tash, unë sot do t’jua dorëzoj materialin dhe kërkoj që ta kemi në rend dite propozim-vendimin për shkurtime dhe rialokime të mjeteve për projekte kapitale dhe në disa skema sociale”, ka thënë Hoti në mbledhjen e Qeverisë.
Krejt këto pengësa Hoti i ka lidhur me zhvillimet e fundit rreth krijimit të institucioneve.
“Nuk e di sa do të vazhdojë kjo situatë, por, unë propozoj që në Qeveri ne ta aprovojmë rishikimin e buxhetit dhe kurdo që konstituohet Parlamenti, besoj që vendimi i parë duhet të jetë aprovimi i ndryshimit të Ligjit për Buxhetin i vitit 2017”.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...