Google ADS

Arifi: S’ka Asociacion pa zbatimin e marrëveshjeve tjera

18:14 | 5 Qershor 2018
M. A.

Koordinator i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi tha se Qeveria e Kosovës në muajin maj ka kërkuar nga autoritetet kompetente në Bruksel që dialogu teknik me palën nga Serbia të vazhdojë sa më shpejt.

Ai tha se në kërkesën për dialog, janë dërguar disa tema mbi të cilat do të duhej të vazhdonte procesi i dialogut teknik.

Arifi shpjegoi se përgjigja nga autoritet në Bruksel ishte që procesi të dialogut të vazhdojë lidhur me procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që sipas Arifit, nga pala kosovare është refuzuar.

Ditë më parë, ai u kishte shkruar autoriteteve të BE-së, që lehtësojnë dialogun me Serbinë, se ndihet ‘plotësisht i zhgënjyer dhe i ofenduar nga ftesa’ që është bërë.

“Kjo ftesë dëshmon se roli juaj si ekip i Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë është transformuar në dorën e djathtë të delegacionit serb, kjo duke i shërbyer interesave serbe në krijimin e agjendës së tyre”, ka shtuar Arifi.

Ai sqaron tutje për Radion Evropa e Lirë se për Kosovën, nuk është me rëndësi zbatimi i vetëm një marrëveshjeje, siç e kishte konceptuar takimin e radhës BE-ja, por janë të gjitha marrëveshjet. Po ashtu, edhe Beogradi, thekson ai, është i interesuar vetëm për Asociacionin dhe asnjë marrëveshje tjetër.

“Befasisht kemi marrë një ftesë që ta prezantojmë ekipin menaxherial për të parë se si po hartohet drafti i statutit për Asociacionit, që për ne nuk është takim fare relevant”, tha Arifi.

“Takim ka qenë i [paraparë të mbahet] me datën 7, por ne e kemi refuzuar. Ne insistojmë në dialog dhe ne insistojmë që të flasim për të gjitha temat. Kurse delegacioni i Serbisë ka bërë të ditur se arsyeja se pse marrin pjesë në bisedime është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne jemi aty për të gjitha marrëveshjet. Ose do të zbatohen të gjitha marrëveshjet ose asnjëra”, tha Arifi për REL.

Ai theksoi po ashtu se Bashkimi Evropian ka rënë në kurthin e Serbisë, ku kjo e fundit, sipas tij, ka arritur që çështjen e Asociacionit ta vë si prioritet mbi prioritet e dialogut.

“Për ata është interesant vetëm Asociacioni i komunave serbe. As nuk i intereson për [marrëveshjen] për energjinë që Kosova i humb dhjetëra milionë euro, nuk i intereson për integrimin e menaxhuar të kufijve që i kemi humbur 24 milionë euro e as për diplomat, andaj për ne si Kosovë insistojmë, ose të gjitha ose asnjëra”, tha Arifi.

Sipas tij, përgjigjet nga Brukseli janë se procesi i komunikimi nuk do të ndalet, por nënvizon se Serbia është penguese e shumë proceseve dhe zbatimit të marrëveshjeve.

“Ka një përkeqësim total, është një sjellje tërësisht raciste ndaj sportistëve të Kosovës. U është pamundësuar gara sportistëve vetëm pse janë të Kosovës. Për çdo ditë qytetarët e Kosovës ndalen në kufij , ndalen edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Maltretohen njerëzit. Kjo praktikë duhet të ndërpritet dhe nuk mund të ketë normalizim me ketë qasje. Kemi degradim total kur kemi të bëjmë me lirinë e lëvizjes”, tha Arifi.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se përfaqësuesit e ekipit menaxhues për statutin e Asociaiconit të komunave serbe, i cili përbëhet nga përfaqësues të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, së shpejti do të thirren për konsulta nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për të parë vijimësinë e punës lidhur me draftimin e statutit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme