Google ADS

Arifi i reagon Vulinit: Ëndërrat e tua dhe të tjerëve kanë vdekur më 17 shkurt

20:06 | 6 Shkurt 2018
Arbresh.info

Shefi i negociatave me Serbinë dhe shefi i kabinetit të kryeministrit kosovar, Avni Arifi i ka reaguar ashpër ministrit serb të mbrojtjes, Aleksandar Vulin i cili propozoi “ndarjen e Kosovës”.

Vulin gjatë një tryeze deklaroi se zgjidhja më e mirë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve do të ishte me ndarjen e Kosovës.

“Kufij të përhershëm mes shqiptarëve dhe serbëve duhet të vendosen në Kosovë. Ajo që duhet të ndodhë në Kosovë është ndarja afatgjatë dhe e fortë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”, ka thënë Vulin në tryezën e rrumbullaktë me ekspertë, pjesëmarrës së dialogut për Kosovën.

E ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ashpër shefi i delegacionit kosovar për bisedime me Serbinë, Avni Arifi.

Ai ka thënë për lajmi.net se askush nuk do ta prekë asnjëherë sovranitetin dhe territorin e Kosovës.

“Nuk i komentoj deklaratat e Serbisë, nuk merrem me to. Vetëm i përkujtoj Vulinit edhe gjithë të tjerëve që Kosova është shtet Sovran dhe i pavarur me kufij, dhe kurrë nuk ka me u prek sovraniteti dhe territorialiteti i saj”, ka thënë Arifi.

Tutje këshilltari i kryeministrit Haradinaj ka thënë se ëndrrat e Vulinit për Kosovën kanë përfunduar më 17 shkurt.

Ai krejt në fund ka pasur edhe një urim për qytetarët e Kosovës.

“Ëndërrat e Vulinit e të tjerëve kanë vdekur me 17 shkurt. Urime 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës”, ka përfunduar Avni Arifi.

Ndryshe, deklarata e tilla të serbëve për ndarjen e Kosovës ka pasur edhe më herët.

Ministri jashtëm serb, Ivica Daçiq kohë më parë kishte shprehur një qëndrim për ndarjen e Kosovës, duke e cilësuar si opinion personal e jo të qeverisë serbe.

Ndërkohë, vetë Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka theksuar disa herë se duhet të gjendet një zgjidhje për Kosovën, e cila nuk do të ishte e kënaqshme për asnjërën palë, por pa saktësuar se për çfarë zgjidhje bëhet fjalë.

E duket se këto deklaratat po “shpërblehen” nga Bashkimi Evropian, pasi Serbia është shteti kryesor që pritet të anëtarësohet në BE nga Ballkani Perëndimor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme