Njohësi i çështjeve politike, Ardian Arifaj ka thënë se pika ku duhet të fokusohet pala kosovare para presionit ndërkombëtarë në lidhje me dialogun me Serbinë është se si të bëhet Asociacioni i komunave me shumicë serbe pa e cenuar shtetin e Kosovës.
Ai gjatë debatit në “RTK Prime” rreth vizitës së të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe të deleguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Kosovë, ka thënë se në asnjë rrethanë nuk duhet të pranohet diçka që e cenon shtetësinë.
“Nëse më të vërtetë jemi para një presioni që ta formojmë Asociacionin, atëherë duhet të shohim se si ta bëjmë një Asociacion, i cili nuk do ta cenojë shtetin e Kosovës. Kjo është pika ku duhet të fokusohet diskutimi sot. Pra, kemi atë se çfarë ka thënë Gjykata Kushtetuese por i kemi edhe disa mesazhe tjera shumë të rëndësishme: Ta kujtojmë vetë përfaqësuesen speciale, Mogherin në Kuvendin e Kosovës e ka thënë qartë qe Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, e dyta sot emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e tha se SHBA e mbështet fuqishëm integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Pra, nuk do të pranohet diçka që e cenon shtetësinë e Kosovës qoftë edhe përbrenda, të njëjtën e tha edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, madje në mënyrë edhe më eksplicite se nuk do të pranojmë bosnjëzimin e Kosovës”, ka thënë Arifaj.
Sipas tij gabojmë që nuk po i shohim këto deklarat si mundësi. “Duhet ta shohim këtë si mundësi që një kërkesë që na e bënë neve Bashkësia Ndërkombëtare, një zotim që e kemi bërë para tyre si ta kthejmë në një mundësi edhe në këto momente. Ne jemi për Asociacionin, i cili është zotim, vendim i votuar prej Kuvendit të Kosovës dhe atë duhesh ta implementosh, por jo implementim që ta kemi një Bosnje të dytë. Pra, duhet të jenë liderët e Kosovës që të vendosin se si do të duket Asociacioni i komunave serbe. Nuk besoj që Lajçak ka qenë ndonjëherë më specifik sa i përket çështjes së Asociacionit”, ka nënvizuar Arifaj./rtk/
Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të P...
Barcelona ka një plan të qartë për Gyokeres, ta transferojë ...
Më 3 dhjetor mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 202...
Vetura përplas për vdekje një 80-vjeçar në Malësi të Madhe
Shifrat e INSTAT: Mbi 761 mijë turistë të huaj në tetor