Google ADS

Ardian Gjini kërkon llogari për vrasjen makabre në Brekovc

13:41 | 8 Gusht 2018
Arbresh.info

Kryetari i Komunës së Gjakovës ka komentuar vrasjen e cila ndodhi mbrëmë në fshatin Brekocë të Gjakovës.
I pyetur nga KALLXO.com për reagimin e policisë, të cilët brenda tri orësh nuk kishin arritur të identifikojnë vendndodhjen e kërcënuesit, Gjini tha se organet duhet të jenë strikte me ligjin.

“ Nëse dikush mban përgjegjësi për mos reagim atëherë organet duhet të jenë strikte me ligjin”, tha Gjini.

Gjini vrasjen në fshatin Brekocë të komunës së Gjakovës e ka quajtur “vrasje makabre”.
KALLXO.com raportoi se brenda tri orësh Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e njeriut i cili po e kërcënonte ish gruan e tij. Në raportet zyrtare viktima ishte ankuar në ora 16:00 në polici se po kërcënohej nga ish bashkëshorti i saj.

Në një përgjigje zyrtare Policia e Gjakovës ka konfirmuar se ishte e njoftuar për kërcënimin por nuk kishte arritur ta identifikonte vendohen e dorasit.

“Në ora 16:00 viktima ka raportuar se është kanosur nga i dyshuari. Policia i janë përgjigjur rastit, kanë ndërmarrë veprimet operative duke e kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacione të ndryshme, është tentuar të kontaktohet edhe përmes telefonit por i njëjti nuk është paraqitur”, ka thënë Lirie Podrimja zyrtare për informim në Policinë e Kosovës. Ajo nuk ka dhënë detaje pse shtëpia e viktimës nuk është vënë nënë mbikëqyrjen e policisë.

Të dhënat e siguruara deri më tani flasin se qifti kishin probleme në të kaluarën
Detajet për këtë janë konfirmuar nga kryeprokurori i Gjakovës Ali Selimaj. “Viktima është ankuar në polici për kërcënimin policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktoj por ka qenë e pamundur” ka thënë Selimaj.

Ai ka shtuar se dorasi është person i njohur për prokurorinë dhe ishte i njohur pasi ndaj tij ka një procedurë penale.

Selimaj ka përgënjeshtruar lajmet se i dyshuari ishte liruar dje nga paraburgimi. Në një bisedë për KALLXO.com Selimaj ka konfirmuar se i dyshuari ishte në paraburgim nga data 12 maj deri në 6 qershor të këtij viti dhe ndaj tij ka një aktakuzë për dhunë në familje e cila është dorëzuar në gjykatë.

Në rrethana ende të pasqaruar një 40 vjeçare dhe vajza e saj u qëlluan për vdekje mbrëmjen e datës 7 gusht. Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i 40 vjeçare. Qifti jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kishin pesë fëmijë dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

Viktima ishte me prejardhje nga Tropoja ndërsa jetonte nga paslufta me familjen e saj në Gjakovë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme