ARC organizoi trajnim dy ditor për zyrtarët e gjendjes civile në lidhje me zbatimin e Vendimit të Ministrit të MPB-së

13:58 | 24 Dhjetor 2024
E.G

Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka organizuar trajnim dy ditor për zyrtarët e gjendjes civile, në lidhje me zbatimin e Vendimit të Ministrit të MPB-së, Nr. 0616/2 dt. 29.11.2024, i cili rregullon regjistrimin e fakteve të gjendjes civile (lindje, martese dhe vdekje) që janë regjistruar në struktura jo-legale serbe.

Sipas njoftimit, ky trajnim ka pasur për qëllim të informojë dhe udhëzojë zyrtarët mbi Vendimin e nxjerrë nga Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, i cili rregullon regjistrimin e fakteve të gjendjes civile (lindje, martese dhe vdekje) që janë regjistruar në struktura jo-legale serbe, shkruan Arbresh.info.

Në këtë trajnim janë informuar zyrtarët e gjendjes civile se ky Vendim ofron mundësinë për aplikimin dhe regjistrimin e këtyre fakteve të gjendjes civile në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të Kosovës që kanë pasur regjistrime të tilla në sisteme jo-legale të përfitojnë nga të drejtat e tyre për regjistrim të saktë dhe të plotë.

Në këtë trajnim, u theksuan procedurat dhe kriteret që duhet të ndiqen për të mundësuar regjistrimin e këtyre fakteve, duke siguruar një proces të drejtë dhe transparent për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrinë e Punëve të Brendshme, është e angazhuar për përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe administrative të regjistrimit të gjendjes civile dhe mbështetjen e qytetarëve në realizimin e të drejtave të tyre për regjistrim të saktë dhe të plotë të fakteve të gjendjes civile./Arbresh.info/

Të ngjashme