Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Vllahiu, e ka nisur me shkelje ligjore garën për kryetar të Prishtinës.
Ish-gazetari ka shkelur Ligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, kur ka përdorur si kryesore në profilin e tij zyrtar në Facebook, një fotografi të Prishtinës të shkrepur nga Arben Llapashtica, e nga i cili nuk ka marrë leje paraprakisht.
Një pamje e bukur dhe e hapur e Prishtinës është shkrepja e Llapashticës që e ka përdorur pa leje Vllahiu.
Ka qenë vet fotografi i njohur ai që ka shkruar në profilin e tij në Facebook për shkeljen. Llapashtica ka kërkuar që së paku t’i shkruhet emri si autor i fotografisë.
“Arbër, s’ta boj like pa e kthy autorin e fotografisë”, ka shkruar Llapashtica, teksa e ka shoqëruar këtë koment me një simbol të buzëqeshjes.
Disa orë më vonë kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu, e ka cituar Llapashticën.
E vërteta është që fotografia e Llapashticës mund të gjendet në Google edhe pa emrin e autorit, Arben Llapashtica, të cilën ndonjë keqpërdorues tjetër e ka hequr atë dhe e ka ripostuar fotografinë. Portali Koha.net ka provuar gjatë ditës së shtunë ta kontaktojë Vllahiun përmes telefonit, përtë marrë më shumë detaje rreth kësaj, por ai ka qenë i paqasshëm.
Në anën tjetër, Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, ka thënë për portalin Koha.net se kandidati i AAK-së, Arbër Vllahiu, ka shfrytëzuar pa aprovim paraprak foton profesionale të Arben Llapashticës.
“Shfrytëzimi i fotos së Prishtinës pa aprovimin e autorit është shkelje e të drejtës autoriale. Nuk ka rëndësi nëse shkelja është bërë me apo pa qellim. Ajo që ka rendësi është që Vllahiu dhe ekipi i tij nuk janë siguruar që shkelja të mos ndodh fare”, ka thënë Kusari.
Sipas saj, përtej përmirësimit të gabimit, Vllahiu ka mundur të kërkojë falje publike dhe të informojë publikun si ka ardhur deri te kjo shkelje.
“Publiku meriton sqarim dhe transparencë të plotë”, ka thënë Kusari.
“Shkelja e të drejtave të autorit nga një politikan i ri është mesazh dekurajues për komunitetin e artistëve, që edhe ashtu mezi mbijetojnë nga puna e tyre”, ka thënë Kusari, teksa ka shtuar se shpreson që të gjithë kandidatët për kryetarë komunash do te respektojnë të drejtën e autorit gjatë shfrytëzimit të fotografive dhe xhirimeve.
Kjo nuk është hera e parë që kameramanit të KTV-së e fotografit, Arben Llapashtica i keqpërdoren fotografitë.
Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, mbron punën intelektuale të autorëve, në mesin e tyre edhe të fotografëve.
Neni 7, pika e parë thotë se “e drejta e autorit i takon autorit me vetë faktin e krijimit të veprës”, derisa në pikën pasuese thotë se “për të gëzuar mbrojtjen e të drejtës së autorit nuk kërkohet plotësim paraprak i çfarëdo formaliteti administrativ”.
Kur flet për veprat e mbrojtura, në Nenin 8, ligji numëron ato që konsiderohen vepra të autorit.
“2.7. veprat fotografike dhe veprat e bëra me një proces të ngjashëm si ai i fotografisë, siç janë fotografitë artistike, fotomontazhet, fotoafishet, fotografitë e reporterëve”.
E në Nenin 19 thuhet se “E drejta në integritet të veprës Autori ka të drejtë ekskluzive ta kundërshtojë çfarëdo deformimi, apo intervenimi tjetër në veprën e tij, si dhe çfarëdo shfrytëzimi të veprës së tij, nëse një ndërhyrje e tillë do të mund ta paragjykonte reputacionin e tij kreativ dhe respektin”.
Ndërsa në Nenin 21, kur flitet për të drejtën e shfrytëzimit dhe format e saj thuhet se “personat tjerë mund të shfrytëzojnë veprën e autorit vetëm në bazë të autorizimit të autorit për kalimin e të drejtave ekskluzive dhe me kushtet e vendosura prej tij, nëse me këtë ligj nuk parashihet ndryshe”.
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor