Arban Abrash: Ka hezitim nga Vetëvendosje për ta marrë Zyrën e Kryeministrit

19:00 | 19 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Arban Abrashi, ka thënë se kjo parti dje ka bërë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneritetit me Lëvizjen Vetëvendosje për ta formuar Qeverinë.

“Dhënia e një ministrie është hap përpara, është diçka që Mustafa e ka ofruar në tavolinë”, ka thënë Abrashi, njofton Klan Kosova.

Në Info Magazine, Abrashi është shprehur se partneri i mundshëm i tyre në Qeveri, LVV është duke hezituar që ta drejtojë këtë institucion.

“Ka pak hezitim nga Vetëvendosje për ta marrë Zyrën e Kryeministrit. Është mendim i imi personal. Dialogu mund të ndodhë se është një frikë. Ka elemente të tjera që ka hezitim”.

“Shpresoj që të kemi lëvizje pozitive sepse qytetari i ka zgjedh këto parti dhe ato duhet ta marrin barrën dhe të ofrojnë zgjidhje për ta – formimin e Qeverisë. LDK në secilin projekt pozitiv që ka ndodhur në Kosovë ka hise, nga qeveria e parë, pavarësia… ka merita. Si LDK kemi treguar se nuk u frikohemi proceseve të mëdha. Nuk frikohemi si LDK në procese të mëdha, si integrimet evropiane, dhe këtë duhet ta dëshmojë secila parti në Kosovë”.

Abrashi ka pohuar se LDK nuk është barrikaduar në negociata me VV-në.

“Po flasim për një ndërtim të koalicionit, të shpresës. Kjo duhet të ndërtohet në baza të shëndosha të bashkëpunimit në mes të partnerëve. S’ka të bëjë me barrikadim. Edhe pika e Presidentit ka qenë diskutim shumë i shëndosh se pse kjo duhet t’i takojë LDK-së ose një partneri tjetër. Kështu do ta kontrollonin partitë njëra-tjetrën më mirë”.

“Politika në Kosovë dhe sistemi politik ta imponon kompromisin. Nga paslufta shohim kompromise të mëdha. Fitues është ai që bën kompromise. LDK e ka dhënë Kryeministrin për hir të stabilitetit të vendit. Kompromise ka pasë vazhdimisht në sistemin tonë politik”.

“Votuesit e kanë kërkuar marrëveshjen prej nesh”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme